Deputeti i zgjedhur i LDK-së, Avdullah Hoti, ka kritikuar situatën politike dhe mosfunksionimin e institucioneve të Kosovës, duke thënë se deputetët e rinj po paguhen pa kryer punën për të cilën janë zgjedhur.
Hoti ka thënë se me përmbylljen e muajit gusht, 120 deputetët e betuar të Kuvendit të Kosovës pritet t’i marrin pagat e tyre, ndonëse, sipas tij, nuk kanë bërë “absolutisht asgjë”.
“Rezultati i zgjedhjeve të qershorit është i qartë: partia e parë, së bashku me një pjesë të deputetëve që përfaqësojnë komunitetet joshumicë, e ka mundësinë ta konstituojë Kuvendin dhe ta formojë Qeverinë”, ka shruar Hoti në Facebook.
Sipas Hotit, pas konstituimit të institucioneve do të mund të zhvilloheshin negociatat ndërmjet partive politike për zgjedhjen e presidentit, brenda afatit kushtetues prej 60 ditësh.
“Në ndërkohë, javët e gushtit dhe muaji shtator do të shfrytëzoheshin për punë konkrete dhe urgjente: rishikimin e buxhetit të këtij viti, i cili është dëmtuar dhe është bërë katrahurë me vendime arbitrare të Qeverisë në detyrë, ratifikimin e marrëveshjeve ndërkombëtare në mënyrë që të mos humben fondet, në veçanti fondet e BE-së në kuadër të planit të rritjes për Ballkanin Perëndimor dhe mbikëqyrjen parlamentare të Qeverisë nga opozita, në veçanti shqyrtimi urgjent i raporteve të Auditorit të Përgjithshëm, të cilat raporte nuk janë shqyrtuar as për vitin 2024”.
Sipas tij, bllokimi i funksionimit të institucioneve ka një adresë. “Lëvizja Vetëvendosje dhe Kurti dhe të gjithë ata, që në çfarëdo forme, po e ndihmojnë këtë bllokim të funksionimit të dy institucioneve të larta të shtetit”.




























