Trump dhe Putin bisedojnë për një armëpushim të mundshëm për luftën në Ukrainë

E publikuar: 18/03/2025 17:49
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Presidenti amerikan, Donald Trump, dhe homologu i tij rus, Vladimir Putin, kanë biseduar për më shumë se 90 minuta, teksa dy liderët po synojnë të lëvizin përpara me një armëpushim në luftën në Ukrainë, konflikt që ka dërmuar të dyja palët në aspektin e ushtarëve dhe burimeve.

Mediat amerikane, NBC dhe CBS, duke u thirrur në burime, raportuan se biseda telefonike e 18 marsit ka përfunduar, ndërkaq agjencia shtetërore e lajmeve në Rusi, TASS, citoi zëdhënësin e Kremlinit, Dmitry Peskov, i cili konfirmoi se dy udhëheqësit përfunduan diskutimin e tyre.

Ende nuk ka detaje lidhur me përmbajtjen apo rezultatin e bisedës, por Peskov u tha gazetarëve në Moskë më herët gjatë ditës se në bisedë do të trajtoheshin “një numër i madh çështjesh” që kanë të bëjnë me raportet SHBA-Rusi, por edhe për luftën në Ukrainë.

“Ne duam të shohim nëse mund t’i japim fund luftës. Ndoshta mundemi, ndoshta nuk mundemi, por mendoj se kemi një mundësi të mirë”, tha Trump më 16 mars, kur njoftoi se do të bisedonte me Putinin.

Kur u pyet lidhur me koncesionet e mundshme që mund të kërkohet për t’u arritur një armëpushim, Trump tha se “ne do të flasim për territorin. Do të flasim për centralet elektrike”.

“Mendoj se për shumë gjëra veçse kemi diskutuar me të dyja palët, Ukrainën dhe Rusinë”, shtoi ai.

Trump e ka bërë prioritet kryesor në nisje të mandatit të tij të dytë presidencial arritjen e një armëpushimi në luftën trevjeçare në Ukrainë.

Pas bisedimeve në Arabinë Saudite, zyrtarët ukrainas dhe amerikanë njoftuan më 11 mars se Kievi ishte pajtuar për një propozim lidhur me një armëpushim 30-ditor.

Moska deri më tani ka reaguar ftohtë lidhur me këtë ide, teksa Putini ka sugjeruar për kushte shtesë, përfshirë ngrirjen e dërgesave të armëve amerikane për Kievin.

Ndërkaq, një zyrtar i lartë rus th se Moska do të insistojë që Ukrainës të mos i lejohet të anëtarësohet në NATO dhe të mbetet “neutrale” në çdo marrëveshje të mundshme të paqes, kushte që Kievi për një kohë të gjatë i ka refuzuar.

*Lajmi është duke u përditësuar/rel