
Sulmi i fundit izraelit në Gaza vrau mbi 300 njerëz. Hamasi ka paralajmëruar se vendimi i kryeministrit izraelit Netanyahu për të vazhduar luftën është një “dënim me vdekje” për të burgosurit izraelitë në Palestinë.
Ky është sulmi më i madh që nga fillimi i armëpushimit në janar dhe qeveria izraelite ka njoftuar se operacioni do të zgjerohet. Shtëpia e Bardhë shprehu mbështetjen për veprimet izraelite dhe fajësoi Hamasin për ripërtëritjen e luftimeve.
Përpjekjet diplomatike për të arritur një fazë të re të armëpushimit kanë dështuar, pasi Hamasi kërkon një tërheqje të plotë të forcave izraelite nga Gaza, ndërsa Izraeli këmbëngul në shkatërrimin e strukturës ushtarake dhe politike të Hamasit përpara përfundimit të luftës.
Ministria e Shëndetësisë së Gazës thotë se numri i të vdekurve nga vala e sulmeve izraelite në Gaza ka arritur në 326.
Një numër viktimash janë ende nën rrënoja dhe po bëhen përpjekje për t’i nxjerrë ato, u bë e ditur në njoftim.
Ushtria izraelite ka urdhëruar që popullata e Gazës të evakuohet nga pjesa lindore dhe të drejtohet drejt pjesës qendrore të territorit palestinez, pasi Izraeli kreu një valë sulmesh ajrore në enklavë herët në mëngjes. Urdhrat e lëshuara sot tregojnë se Izraeli mund të rifillojë operacionet tokësore në Gaza.