Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës nuk u themelua për qëllime episodike, as për një ditë, por për të jetuar aq sa do të jetojnë edhe përpjekjet e qytetarëve të Kosovës për shtet ligjor, demokratik e me zhvillim ekonomik.
Kështu tha lideri i AAK’së, Ramush Haradinaj në shënimin e 15 vjetorin e themelimit të partisë që ai drejton.
Derisa, në 15 vjetorin e themelimit të AAK’së, ishin të ftuar edhe përfaqësuesit e dy partive tjera opozitare, Vetëvendosjes dhe Nismës për Kosovën.
Haradinaj para të pranishmëve ka falënderuar secilën dhe secilin që ishte dhe është pjesë e aleancës në rrugëtimin e përbashkët në këto 15 vjet.
Por, tha se AAK’ja nuk u formua për një ditë, por për të jetuar aq sa jetojnë përpjekjet e qytetarëve për shtet ligjor e demokratik.
“Sot prej neve që bëmë 15 vjet jetë së bashku, prej atyre që u bashkuan në këtë rrugëtim tonë, i ftoj qytetarët e Kosovës të na bashkohen. Aleanca është e tyre, do të jetë gjithnjë. Aleanca e ka vërtetuar se nuk është themeluar për qëllime episodike, përkohshme, një ditore, por për të jetuar me Kosovën aq sa jetojnë përpjekjet e qytetarëve për shtet ligjor, demokraci e zhvillim ekonomik”, tha Haradinaj.
Kreu i AAK’së shtoi se janë tri etapa që i kanë përjetuar deri me tani.
“Tri etapa me nga një fjalë, rrugë e gjatë deri në liri e shpesh paqartësi. Shumë prej neve s’kemi besuar, ose nuk e kemi ditur, ose e kemi parë gati të pamundshme se do të çlirohet Kosova, ndodhi. Në kohën e qeverisjes nga OKB na u ka dukur shumë gjatë, kemi thënë a bëhet ndonjëherë të shkoj OKB’ja a bëhet ndonjë herë Kosova e pavarur, u bëmë shtet. Ve edhe një punë i ka mbetur Kosovës pa ndodhur, qeverisja e mirë. Por po hetohet se kjo është detyrë e aleancës duke e zhvilluar vetveten t’i ndihmoj Kosovës, të hulumtoj për qeverisje të mirë. Në emër të këtij qëllimi iu uroj këtë 15 vjetor”, theksoi Harainaj.
Ai tha se qytetarët e Kosovës kanë shumë nevojë edhe për AAK’në, edhe për të tjerët që punojnë për demokraci e zhvillim.