Gjuriq flet me zyrtarin amerikan: Serbia duhet të jetë ndër partnerët kryesorë të SHBA-së në Evropë

E publikuar: 05/02/2025 23:02
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ministri i Jashtëm i Serbisë, Marko Gjuriq, ka thënë se ai ka theksuar rëndësinë e partnertitetit të Serbisë me SHBA-në gjatë telefonatës së tij me zyrtarin e lartë amerikan në Byronë për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike, Louis Bono.

“Përsërita vendosmërinë e palëkundur të vendit tim për të bashkëpunuar me administratën e re të Shteteve të Bashkuara me qëllim forcimin e dimensioneve politike, ekonomike dhe të tjera të marrëdhënieve tona, si dhe për ta pozicionuar Serbinë si një nga partnerët kryesorë të SHBA-së në Evropë”, shkroi Gjuriq lidhur me telefonatën në X.

Bono e mori detyrën më 20 janar, pasi presidenti amerikan, Donald Trump, e filloi zyrtarisht mandatin e dytë në Shtëpinë e Bardhë.

Bono është anëtar i Shërbimit të Lartë të Jashtëm dhe së fundmi ka shërbyer si këshilltar i lartë për Negociatat në Kaukaz.

Ai ka punuar edhe në Ambasadën amerikane në Berlin, si dhe ka qenë zëvendëspërfaqësues i përhershëm në Zyrën e Kombeve të Bashkuara në Vjenë dhe në Agjencinë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike.

Më herët gjatë ditës, Osmani kishte takuar Bonon gjatë vizitës së saj në SHBA. Sipas njoftimit të Zyrës së Presidencës, Osmani kishte theksuar rëndësinë e integrimit të Kosovës në NATO.

Komunikimet e Bonos me Osmanin dhe Gjuriqin pasojnë deklaratat e dy ditëve më parë të të dërguarit amerikan për misione të veçanta, Richard Grenell, se Shteteve të Bashkuara u duhen partnerë të besueshëm në Ballkan, ndërsa Qeveria e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, sipas tij, nuk është e tillë.