Papa Françesku përgëzoi Presidentin e SHBA-ve Donald Trump për inaugurimin e tij, dhe shprehu shpresën se nën udhëheqjen e tij populli amerikan do të përpiqet gjithmonë për të ndërtuar një shoqëri më të drejtë.
“I frymëzuar nga idealet e një kombi, një tokë e mundësive dhe e mirëseardhjes për të gjithë, shpresoj që nën udhëheqjen tuaj populli amerikan do të përparojë dhe do të jetë gjithmonë i përkushtuar në ndërtimin e një shoqërie më të drejtë, në të cilën nuk ka vend për urrejtje, diskriminim apo përjashtim.” – tha Papa në mesazhin e tij të urimit.
Ai kujtoi sfidat e shumta me të cilat ballafaqohet njerëzimi duke përfshirë luftën, dhe i tha Trumpit se po i lutej Zotit që “të udhëheqë përpjekjet e tij në promovimin e paqes dhe pajtimit midis kombeve”.
“Me rastin e inaugurimit tuaj si presidenti i dyzet e shtatë i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ju përshëndes ngrohtësisht dhe lutem që Zoti i Madhërishëm t’ju japë urtësi, forcë dhe mbrojtje në kryerjen e detyrave tuaja më të larta.” – tha ai, sipas Vatican News.