Barcelona dhe Real Madrid do të luajnë në finalen e Superkupës së Spanjës të dielën, pasi madrilenët mposhtën në gjysmëfinale Mallorca me rezultat 3-0.
Mallorca i bëri ballë skuadrës madrilene deri në minutën e 63-të kur Jude Bellingham goditi rrjetën. Më parë Rodrygo goditi kornizën e portës dhe më pas përfaqësuesi anglez 21-vjeçar gjeti rrugën drejt rrjetës së kundërshtarit, duke shënuar për epërsinë e Realit.
Reali deri në fund të duelit mbajti me qetësi avantazhin. Në fund, Mallorca u gjunjëzua dhe pësoi dy gola në kohën e fundit. Fillimisht, Valjent shënoi në portën e tij në minutën e 92-të, ndërsa Rodrygo shënoi për 3-0 në minutën e 95-të.
Gjatë ndeshjes, ylli brazilian i Realit, Vinicius ishte në konflikt të vazhdueshëm me argjentinasin e Mallorcas, Pablo Maffeo. Vinicius si anësor, dhe Maffeo si mbrojtës i djathtë, patën duele direkte shumë të mprehta gjatë gjithë ndeshjes. Maffeo provokoi brazilianin, ra në tokë për prekjen më të lehtë dhe ishte në konflikt me mbrojtësin e Realit, Raul Asencio.
Në fund të ndeshjes, konflikti mes të dyve u kthye në një konflikt të përgjithshëm mes skuadrave, i cili përfundoi pa asnjë përplasje të rëndë fizike. Konflikti mes Vinicius dhe Maffe është disa vjeçar. Argjentinasi mori një herë një karton të kuq për një faull ndaj Vinicius dhe që atëherë mes tyre ka pasur përplasje.
Vetë Maffeo kontribuoi në tensionet para ndeshjes së Superkupës së luajtur në Jeddah të Arabisë Saudite. Kur u pyet për një ndeshje të mundshme boksi mes tij dhe brazilianit në një univers paralel, ai u përgjigj se ishte i sigurt se do të nokautonte Viniciusin në 10 sekonda. /Telegrafi