Zidane po i kthehet futbollit në mënyrë të madhe, më në fund do të marrë punën që ka pritur gjithmonë

E publikuar: 08/01/2025 10:19
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Futbollisti dhe trajneri legjendar francez, Zinedine Zidane, po planifikon një rikthim të madh në futboll dhe sipas mediave nga vendi i tij, pothuajse me siguri do të jetë ai që do të pasojë Didier Deschamps te Kombëtarja e Francës.

Mediat franceze hodhën një “bombë” të vërtetë mbrëmë, pasi u njoftua se Didier Deschamps po largohej nga posti i trajnerit të Francës. Pas 14 vitesh mbretërim, Deschamps njoftoi largimin e tij nga bankina e “Gjelave” pas Kupës së Botës 2026.

Ai, sipas të gjitha llogarive, do të pasohet nga Zinedine Zidane si kandidati i vetëm adekuat. Futbollisti i madh francez nuk dëshiron të drejtojë askënd në karrierën e tij, përveç Real Madridit dhe kombëtares franceze, dhe duke qenë se me Realin ka fituar gjithçka që fitohet, e vetmja dëshirë e tij e mbetur është kombëtarja e vendit të tij.

Gazeta e njohur franceze Le Parisien thekson se Zidane është favorit absolut për të marrë drejtimin nga Deschamps dhe do të jetë një sensacion i vërtetë nëse kjo nuk ndodh në fund.

Kështu që do të duhet të presim edhe pak kohë rikthimin e Zidane në futboll, por do t’ia vlejë, sepse është dëshira e tij më e madhe e parealizuar në karrierën e tij futbollistike, duke përfshirë edhe ditët e tij të lojës.

Kujtojmë se Botërori 2026 do të luhet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Meksikë dhe Kanada. Do të jetë një mundësi ideale që Deschamps t’i thotë lamtumirë në mënyrën më të mirë skuadrës franceze me të cilën u bë kampion bote në vitin 2018.

Duke qenë se francezët tashmë konsiderohen si një nga favoritët kryesorë, Deschamps mund të thotë lamtumirë në stilin më të bukur – me një titull të ri kampion bote.