“Fëmijët nën 16 vjeç pa rrjete sociale!” Australia, gati ndalimin e mediave sociale për të miturit

E publikuar: 21/11/2024 23:16
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Qeveria e Australisë ka prezantuar në parlament një projekt-ligj që synon të ndalojë mediat sociale për të miturit nën 16 vjeç. Projektligji parashikon gjoba deri në 49.5 milionë dollar për platformat e mediave sociale në rast se kryejnë shkelje të përsëritura.

Propozimet nuk parashikojnë asnjë përjashtim për pëlqimin prindëror dhe asnjë përjashtim për llogaritë para-ekzistuese.

Projekt-ligji do të ndikonte në platformat Instagram dhe Facebook, TikTok , X dhe Snapchat.

Megjithatë fëmijët do të kenë akses në mesazhe, lojëra në internet dhe shërbime të lidhura me shëndetin dhe arsimin.

Qeveria e udhëhequr nga Anthony Albanese, argumentoi se përdorimi i tepërt i mediave sociale paraqet rreziqe për shëndetin fizik dhe mendor të fëmijëve, veçanërisht për vajzat nga përcaktimet e dëmshme të imazhit të trupit dhe përmbajtjet mizogjene.

Një numër vendesh tashmë janë zotuar të kufizojnë përdorimin e mediave sociale nga fëmijët përmes legjislacionit, por politika e Australisë është një nga më të rreptat.

Franca vitin e kaluar propozoi një ndalim të mediave sociale për ata nën 15 vjeç, por përdoruesit mundën ta shmangnin ndalimin me pëlqimin e prindërve. Gjithashtu Shtetet e Bashkuara kanë kërkuar për dekada nga kompanitë e teknologjisë që të kërkojnë pëlqimin e prindërve për të hyrë në të dhënat e fëmijëve nën 13 vjeç.