Shqipëria dhe Bashkimi Europian miratuan Partneritetin e Sigurisë dhe Mbrojtjes.
Sipas njoftimit të Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme, ky kuadër i ri politik krijon një platformë për dialog dhe bashkëpunim të zgjeruar për çështjet e sigurisë dhe mbrojtjes.
“Shqipëria si vend negociues me BE dhe shtet anëtar i NATO-s ka qenë dhe është një partner i vyer dhe i besuar për BE-në në fushat e sigurisë dhe mbrojtjes, duke kontribuar në mënyrë aktive në misionet dhe operacionet e Politikës së Përbashkët të Sigurisë dhe Mbrojtjes të BE-së”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Jashtme.
Ky partneritet i sapomiratuar i Sigurisë dhe Mbrojtjes i hap rrugën rritjes së bashkëpunimit në fusha kyçe, duke përfshirë menaxhimin e krizave, mbështetjen për Ukrainën, përballimin e kërcënimeve hibride, sigurinë kibernetike, etj.