Raportohet se SHBA-ja i ka dhënë leje Ukrainës të sulmojë Rusinë me armë me rreze të gjatë

E publikuar: 17/11/2024 20:47
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Mediat amerikane kanë raportuar se administrata e presidentit amerikan, Joe Biden, ka hequr kufizimet që e parandalonin Ukrainën që të përdorte armët amerikane për të sulmuar thellë brenda territorit rus.

The New York Times, Associated Press dhe Reuters raportuan më 17 nëntor se Biden ka hequr këto kufizime, duke u thirrur në burime që kanë njohuri për këtë çështje.

Shtëpia e Bardhë ende nuk ka komentuar për këto raportime.

Nëse ky lajm konfirmohet, atëherë do të përbënte një ndryshim të madh në politikën amerikane, pasi Kievi që një kohë të gjatë i ka kërkuar Uashingtonit që ta lejojë që të përdorë armë me rreze të gjatë veprimi për të sulmuar Rusinë.

Reuters, duke cituar burime, raportoi se Kievi planifikon të kryejë sulmet e para me armë me rreze të gjatë veprimi pas disa ditësh, por nuk dha më shumë detaje.

Ukraina me gjasë do të përdorë raketat e sistemit ATACMS – që kanë rreze veprimi deri në 300 kilometra – tha Reuters, duke cituar tri burime që kanë informacione për këtë çështje.

ATACMS apo Sistemi Raketor Taktik Ushtarak është raketë e fuqishme hipersonike, balistike që mund të udhëtojë deri në 300 kilometra.

Sipas New York Times, lejimi që ukrainasit të përdorin armë me rreze të gjatë veprimi, ATCMS, erdhi si përgjigje ndaj vendimit të Rusisë për të përfshirë në luftë trupat koreanoveriore.

Burimet e kësaj media amerikane thanë se përderisa nuk pritet që ky vendim i administratës së Bidenit të ndryshojë në mënyrë thelbësore rrjedhën e luftës, një nga qëllimet e ndryshimit të politikës, sipas tyre, është që t’u dërgojë një mesazh koreanoveriorëve se ushtarët e tyre janë të cenueshëm dhe nuk duhet të dërgojnë më shumë në Rusi.

SHBA-ja, Ukraina, Koreja e Jugut dhe NATO-ja kanë thënë se Koreja e Veriut – e cila ka rritur bashkëpunimin ushtarak me Rusinë – i ka dërguar Rusisë mijëra ushtarë, për ta ndihmuar Moskën në luftën në Ukrainë.

SHBA-ja ka thënë se beson që 10.000 ushtarë koreanoveriorë gjenden në rajonin rus të Kurskut, i cili ndodhet në kufi me Ukrainën.

Armët amerikane me rreze të gjatë veprimi, sipas burimeve të The New York Times ka të ngjarë që fillimisht do të përdoren ndaj trupave ruse dhe koreanoveriore në Kursk.

SHBA-ja është mbështetësja më e madhe e Ukrainës, sa i përket ndihmës ushtarake dhe financiare, që kur Rusia nisi pushtimin e paprovokuar të shtetit fqinj më 2022.

Adminsitrata Biden fillimisht kishte hezituar që t’i jepte Ukrainës armë të fuqishme sikurse ATACMS, tanket Abrams dhe Sistemin raketor të artilerisë me lëvizshmëri të lartë (HIMARS), pasi kishte shprehur shqetësimin se Rusia mund t’i shihte si provokim.

Përveç SHBA-së, edhe shtete të tjera e kanë pajisuar Ukrainën me armë me rreze të gjatë veprimi./REL