Izraeli kërcënon Iranin me sulme ndaj objekteve bërthamore

E publikuar: 12/11/2024 23:25
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Izraeli duhet të sulmojë objektet bërthamore të Iranit. Kështu është shprehur Ministri i Mbrojtjes së Izraelit, Israel Katz.

“Irani është më i prekshëm se kurrë ndaj sulmeve ndaj objekteve të tij bërthamore. Ne kemi mundësinë të arrijmë qëllimin tonë më të rëndësishëm – të pengojmë dhe eliminojmë kërcënimin ekzistencial për shtetin e Izraelit,” shkroi Katz në platformën X, pas takimit të tij të parë me Shtabin e Përgjithshëm.

Katz mori portofolin e mbrojtjes vetëm pas shkarkimit të paraardhësit të tij Joav Galant, i cili kundërshtonte vazhdimisht kryeministrin Benjamin Netanyahu për çështjen e pengjeve.

Ndërkohë, sirenat e alarmit u dëgjuan në Izraelin qendror në zona të ndryshme dhe në Tel Aviv. Izraeli ka arritur të interceptojë dhjetëra raketa të lëshuar nga grupimi militant i Hezbollah. Ushtria e Izraelit tha në një deklaratë se pas sirenave në zona të ndryshme të Izraelit qendror, Forcat Ajrore të Izraelit kapën tre predha nga Libani.

Në Izraelin verior, dy persona u vranë në qytetin Nahariya kur një ndërtesë banimi u godit nga një raketë, tha policia izraelite. Izraelitët u detyruan të strehoheshin në të gjithë veriun ndërsa dronët sulmues u nisën nga Libani, tha ushtria. Një prej tyre goditi oborrin e një kopshti fëmijësh në një periferi të Haifës, ku fëmijët ishin dërguar me shpejtësi në një strehë, thanë punonjësit e shpëtimit. Asnjë nuk u lëndua.

Izraeli i ka dhënë goditje të rënda Hezbollahut, duke vrarë shumë nga liderët e tij, përfshirë Hassan Nasrallah, duke rrafshuar zona të mëdha të periferive jugore, duke shkatërruar fshatrat kufitare në jug dhe duke goditur më gjerësisht në të gjithë Libanin.

Që nga shpërthimi i armiqësive një vit më parë, sulmet izraelite kanë vrarë të paktën 3,287 njerëz në Liban, shumica në shtatë javët e fundit, sipas ministrisë libaneze të Shëndetësisë. Shifrat e saj nuk bëjnë dallim mes civilëve dhe luftëtarëve.