Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, foli me Presidentin e zgjedhur të SHBA-së, Donald Trump, në fillim të kësaj jave, pas shpalljes së rezultateve të zgjedhjeve në SHBA.
Në linjë telefonike, gjatë bisedës së tyre, iu bashkua papritur edhe miliarderi i teknologjisë, Elon Musk, duke sinjalizuar ndikimin e mundshëm të tij në politikën e jashtme në një administratë të re Trump.
“Po, në një moment Trump ia kaloi telefonin Musk-ut. Jo, asgjë e pazakontë, ata patën një bisedë normale,” tha një zyrtar ukrainas afër Zelenskyy-t për POLITICO, transmeton Gazeta Express.
“Presidenti [Zelenskyy] thjesht falënderoi Musk-un për Starlinks,” shtoi ai, duke iu referuar sistemit të internetit satelitor të Musk-ut.
Përfshirja e Musk-ut në bisedë, e cila ndodhi ndërsa Rusia vazhdon sulmet e saj të gjithanshme ndaj Ukrainës, u raportua për herë të parë nga Axios të premten.
Ndërkohë që një raport i fundit i Ëall Street Journal tregonte se Musk ka qenë në kontakt të rregullt me Presidentin rus Vladimir Putin dhe ka shprehur publikisht kundërshtimin e tij për ndihmën ndaj Ukrainës duke përhapur narrativa pro-Kremlin për Ukrainën në platformën X.
Trump — i cili shpesh ka shprehur kundërshtimin e tij për ndihmën ushtarake amerikane për Kievin dhe është skeptik i vjetër i NATO-s — tha se do ta mbështesë Ukrainën, por nuk hyri në detaje, raportoi Axios, duke cituar burimet e tij.
Zelenskyy e konsideroi telefonatën që ndodhi kaq shpejt pas shpalljes së fitores së Trump-it si një shenjë pozitive, raportoi Axios.
“Vlerësova familjen dhe ekipin për punën e shkëlqyer. Ramë dakord të mbajmë një dialog të ngushtë dhe të avancojmë bashkëpunimin tonë. Lidershipi i fortë dhe i palëkundur i SHBA-ve është jetik për botën dhe për një paqe të drejtë,” tha Zelenskyy pas telefonatës në një deklaratë.
Zëdhënësi i ministrisë së jashtme ukrainase, Heorhii Tykhyi, tha se ishte një telefonatë “e shkëlqyer” dhe se ekipi ukrainas mbetet në kontakt të ngushtë me enturazhin e Trump-it.