Kurti: Albanologjia, dije luftarake për të drejtat e shqiptarëve në Ballkan

E publikuar: 09/09/2024 12:02
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Albanologjia ka lindur si një dije aktive e luftarake e lidhur ngushtë me vetëdijen kombëtare, e që luftoi për të drejtat e shqiptarëve në Ballkan. Kështu tha kryeministri Albin Kurti në hapjen solemne të konferencës shkencore “Java e Albanologjisë”, raporton Ekonomia Online.

Kreu i ekzekutivit tha se “Java e Albanologjisë” është bërë një traditë e bukur, ndërsa u përmenden edhe ndarja e bursave për studentët që studiojnë gjuhë shqipe dhe letërsi.

Sipas tij, dija fillestare albanologjike e shekujve të 18-të e 19-të ndihmoi në zgjimin kombëtar të shqiptarëve.

“Rilindësit tanë të shquar, duke nisur nga vëllezërit Frashëri e Pashko Vasa e deri te Faik Konica e Fan Noli, i shfrytëzuan arritjet shkencore të albanologjisë, për të krijuar orientimin tonë kombëtar dhe për të hedhur poshtë pretendimet jo shkencore dhe propagandën raciste të shovinistëve fqinj”, tha Kurti.

“Java e Albanologjisë është bërë një traditë e bukur. Albanologjia lindi si në dije aktive e luftarake e lidhur ngushtë me vetëdijen kombëtare e vetëdijes sonë. Albanologjia nuk pengohet më nga kufizimet politike dhe nga regjimet. Albanologjia i përgjigjet sfidave të kohës. Duke e ditur rendësin e Albanologjisë, si Qeveri kemi kontribuar ne mbështetje të saj”, u shpreh Kurti.

Kurti tha se kanë për qëllim stimulimin e të rinjve që të orientohen drejte albanologjisë, teksa përmendi ndarjen e bursave për studentët që vijojnë studimet në programet gjuhë shqipe dhe letërsi shqipe në Fakultetin Filologjik.

Sipas tij, kjo ka ndikuar që të rritet numri i studentëve në këto programe.

“Para dy muajve morëm edhe vendimin për të ndarë bursa Bachelor dhe Master për studente që vijojnë programet gjuhë shqipe dhe letërsi shqipe në Fakultetin Filologjikë në UP. Falë kësaj në këtë vit akademik numri i aplikimeve në programin gjuhë shqipe nga 20 sa ishte vitin e kaluar tash është 105, në letërsi shqipe nga 6 sa ish te vitin e kaluar tash është 79”, tha Kurti.

Lulëzim Lajci, në emër të Institutit Albanologjik, tha ky edicion është i 15-ti më radhë, ndërsa presin edhe rezultate në një periudhë të shkurtër kohore.

“Ky është aktiviteti më i rëndësisë shkencore i Institutit Albanologjik, deri tani janë mbajtur 14 edicione ky është edicioni i 15-të. Edhe në këtë edicion janë paraparë 5 sesione shkencore. Pas një distancë kohore, do të shtohet vlera e këtyre punimeve shkencore”, tha ai.