Zërat për largimin e Dajës, presidenti i Ballkanit “qartëson” situatën

E publikuar: 09/08/2024 23:32
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Humbja e mbrëmshme e kampionëve të Kosovës ndaj FC Larnes, i rriti si asnjëherë më parë spekulimet për një largim të mundshëm të trajnerit Ilir Daja.

Pavarësisht se Ballkani nuk e ka përjetuar aspak mirë “krizën” në Conference League, ku tani i duhet një fitore me së paku dy gola në Irlandë të Veriut, duket se besimi që kanë në trajnerin nga Tirana, aspak nuk është lëkundur.

Tē paktën kështu ka lënë të kuptohet presidenti i portokall e zinjëve, Arsim Kabashi.

Në rrjetin e tij zyrtar në facebook, Kabashi ka postuar një fotografi me timonjerin e skuadrës, duke e ilustruar edhe me kurorën mbretërore.

Kujtojmë se që nga emërimi i Ilir Dajës në krye të bankinës së “Xhebrailave”, ekipi nga Suhareka ka fituar 3 tituj kampioni në Superligën e Kosovës, Kupën dhe Superkupën shtetërore.

Gjatë kësaj periudhe, Ballkani shënoi histori në arenën ndërkombëtare, duke u bërë skuadra e parë që kualifikohet në grupet e një kompeticioni evropian. Suharekasit e bënë dy herë këtë gjë, derisa synojnë ta përsërisin këtë sukses edhe sivjet.

Ndryshe, klubi kampion aktual ia vazhdoi kontratën trajnerit Daja në muajin shkurt, edhe për dy vite të tjera.