Sylvinho
Trajneri Sylvinho doli në konferencën e zakonshme për shtyp, në prag të ndeshjes me Kroacinë, e vlefshme për grupin B të Euro 2024-ës, ku ndër të tjera zbuloi se grupi është i plotë dhe se të gjithë janë gati për të luajtur.
Sylvinho vlerësoi maksimalisht kundërshtarët e kuqezinjve në Euro 2024 dhe tha se është kënaqësi që Shqipëria përballet me to, për të mësuar, për t’u rritur dhe pse jo, për të arritur edhe rezultate pozitive.
Si është gjendja e skuadrës?
Në këtë moment jemi të gjithë në formë. Kemi pasur një seancë të shkurtër këtë pasdite dhe do të flasim me stafin në hotel, por nuk kemi asnjë të lënduar dhe të gjithë janë gati për sfidën e nesërme ndaj Kroacisë.
A mund ta cilësojmë si një finale këtë sfidë me Kroacinë?
Patjetër. Ky është një grup shumë i vështirë, por është një gëzim shumë i madh për ne shqiptarët, pasi luajmë kundër ekipeve më të mira dhe mësojmë prej tyre. Luhet 90 minuta pa kompromis dhe duhet të bëjmë maksimumin për të marrë rezultat. Kemi kundërshtarë që luajnë në klubet më të mëdha në botë dhe është e mrekullueshme të luajmë ndaj skuadrave të tilla, ndaj nuk do të heqim dorë asnjëherë për të kërkuar rezultat pozitive. E respektuam Italinë, por kërkuam të shmangim humbjen deri në fund dhe me pak fat mund t’ia dilnim. Ndoshta ia dalim nesër ndaj Kroacisë.
Kroacia është një skuadër që krijon shumë raste. Ka shumë yje, por disa në perëndimin e tyre. Çfarë ideje keni krijuar për këtë skuadër?
E kemi studiuar Kroacinë dhe ndaj Spanjës ata u mposhtën 3-0, por luajtën shumë mirë dhe krijuan shumë raste për të shënuar. I krijuan shumë probleme Spanjës, që shënoi golat e vet në vetëm 29 minuta. Kroacia ka lojtarë teknikë, të fortë fizikisht dhe me cilësi të larta pasimi. Kundërshtarët janë shumë të fortë, por edhe ne kemi lojtarë cilësorë si kapiteni Gjimshiti, Asllani, Broja, Muçi, etj., disa prej të cilëve të rinj dhe kanë nevojë ende për t’u rritur. Këto ndeshje do t’i ndihmojnë shumë ata të përmirësohen.
Ndaj Italisë ka pasur kritika se e keni respektuar më shumë se duhet kundërshtarin, duke mos e sulmuar…
Nuk është se ne nuk e sulmuam Italinë, por ata nuk na lejuan ta sulmojmë. Kemi sulmuar me tre, por ata kalonin me rreshtimin me 5 mbrapa dhe shumë mesfushorë. Italia është mbrojtur shumë mirë dhe duhet të pranojmë se ky kompeticion ka nivel shumë të lartë. Mos harroni, Italia ka mesfushorë si Jorginho e Barella, dy futbollistë të një niveli shumë të lartë dhe ne duhet të jemi të lumtur që luajmë kundër tyre. Për ne kjo është sfiduese dhe mund të bëjmë shumë, pasi rritemi edhe vetëm duke u përballur me ta. Në këtë këndvështrim, them se kemi bërë një ndeshje të mirë. Kemi shënuar, kemi pësuar dy gola shumë shpejt, por sërish nuk jemi dorëzuar.
Mesfusha e Kroacisë është padyshim shumë e fortë. Si e keni menduar t’i përballoni?
Është e vërtetë, mesfusha është zemra e tyre. Kanë emra si Brozovic, Modric, Kovaçiç, apo Perisic, të cilët kanë luajtur dhe luajnë në nivelet më të larta, ndaj do të jetë shumë e vështirë. Duhet të luftojmë shumë dhe të bëjmë kujdes, për të mos u lejuar shumë, pasi dinë të shfrytëzojnë çdo gabim.
(Supersport)