Shqipëria përmbyll mandatin dyvjeçar në Këshillin e Sigurimit, Hasani: Partner i besueshëm për BE-në

E publikuar: 31/12/2023 14:52
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ministri i Jashtëm, Igli Hasani gjatë fjalës së tij në videomesazhin e dhënë me rastin e përfundimit të mandatit dy-vjeçar të Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, renditi disa prej arritjeve të vendit tonë gjatë kësaj periudhe 2-vjeçare. Hasani u shpreh se Shqipëria ka luajtur një rol dinjitoz dhe aktiv në ndjekjen e paqes dhe sigurisë ndërkombëtare.

“Ndërsa Shqipëria përfundon mandatin e saj të parë dy-vjeçar, si anëtare e zgjedhur e Këshillit të Sigurimit, dëshiroj të ndaj me një krenari të veçantë një mesazh nga kjo dhomë ku gjatë 2-viteve të fundit vendi ynë ka punuar së bashku me anëtarë të tjerë dhe ka luajtur një rol aktiv në ndjekjen e paqes dhe sigurinë ndërkombëtare.

E udhëhequr nga parimet dhe vlerat e saj, Shqipëria ka luajtur një rol dinjitoz i cili është vlerësuar nga miq e aleatë si dhe nga shoqëria civile e organizata ndërkombëtare.

Ne bëmë pjesën tonë duke marrë përsipër më shumë përgjegjësi edhe nëse kjo do të thoshte t’u dilnim përballë vendeve të mëdha dhe lojtarëve globalë.

Ne mbrojtëm fortë kauzën ukrainase sepse ajo ishte e drejtë dhe përfaqëson diçka të rëndësishme për ne. Gjatë këtyre dy viteve ne ngritëm me vendosmëri avancimin e agjendës së grave për paqe dhe siguri”, tha Hasani, teksa shtoi se Shqipëria ka rritur profilin e saj në arenën ndërkombëtare dhe forcoi pozicionin e saj si një aktor i besueshëm dhe aktiv në rajon e më gjerë.

“Ne arritëm të sjellim një zë të fortë dhe të besueshëm në Këshillin e Sigurimit duke rritur profilin e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare, duke forcuar pozicionin tonë si një aktor i besueshëm dhe aktiv në rajon, e një aleate dhe partner i besueshëm për BE-në”, tha Hasani. /rtsh.al/