Zbulohet se kush e vrau Prigozhinin, gazeta amerikane publikon emrin e njeriut që dha urdhrin

E publikuar: 24/12/2023 21:59
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Sekretari i Këshillit të Sigurisë së Rusisë, Nikolai Patrushev është personi që ka drejtuar operacionin e vrasjes së Yevgeny Prigozhin, raporton Wall Street Journal.

Kreu i grupit Wagner, Prigozhin humbi jetën disa muaj më parë, pas rrëzimit të aeroplanit ku ishte në bord së bashku me nëntë persona të tjerë.

Tani, gazeta amerikane raporton se drejtuesi i këtij operacioni ishte Patrushev, një mik i ngushtë i presidentit rus Vladimir Putin.

Zyrtarë të inteligjencës perëndimore dhe një ish-oficer i inteligjencës ruse i thanë The Journal se vdekja e Prigozhinit në gusht ishte nxitur dhe miratuar nga 72-vjeçari.

Akuza të shumta ka pasur kundrejt presidentit rus Putin, të cilin e kishin konsideruar përgjegjës dhe shkaktar për vdekjen e shefit të grupit Wagner.

Kjo pasi, para se të ndodhte incidenti i aeroplanit, Prigozhin kishte bërë një rebelim kundrejt udhëheqjes ushtarake ruse dhe u nis me ushtrinë e tij drejt Moskës, duke braktisur pozicionet në Ukrainë.

Por, para se të mbërrinte në Moskë, u arrit marrëveshje për ndërprerjen e kryengritjes. Prigozhin ishte ankuar një ditë më parë se ushtria e rregullt ruse kishte bombarduar kampet e grupit dhe herë pas here ankohej për mungesë municionesh.

Ish-oficeri i inteligjencë ruse, Patrushev i dha urdhër ndihmësit të tij në muajin gusht për të hartuar një operacion që do ta vriste Prigozhinin.

Një bombë e vogël u vendos nën krahun e aeroplanit gjatë një vonese kur inspektorët e sigurisë po e kontrollonin aeroplanin, thanë zyrtarët e inteligjencës perëndimore për The Journal.

Dmitry Peskov, një zëdhënës i Kremlinit, i tha Reuters se nuk do të komentonte mbi këtë çështje.