Iu zbuluan dallavera me votat, Bërnabiq ankohet se vëzhguesit e huaj gënjejnë dhe destabilizojnë Serbinë

E publikuar: 22/12/2023 13:02
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Serbia’s Prime Minister Ana Brnabic attends a summit to support regional integration in the Western Balkans region in Sofia on December 7, 2017. / AFP PHOTO / Dimitar DILKOFF

Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq ka pretenduar se vëzhguesit nga Evropa, Stefan Schennach dhe Andeas Schieder, po “gënjejnë” dhe “po destabilizojnë Serbinë me deklaratat e tyre për zgjedhjet”.

“Ata ishin vëzhgues që drejtonin delegacionet e Parlamentit Evropian dhe misionin vëzhgues të Këshillit të Evropës. Ajo që ata bënë më pas, të gjitha paraqitjet e tyre në media, është në kundërshtim me kodin etik të vëzhguesve ndërkombëtarë”, ka thënë Bërnabiq.

Ajo ka pretenduar se të dy ishin në qendrat e votimit që kishin zgjedhur, “por nuk kishin kundërshtime, por pastaj dalin para mediave dhe me ditë të tëra gënjejnë, ngacmojnë dhe e destabilizojnë drejtpërdrejt Serbinë”.

Ajo gjithashtu ka pretenduar se “në zgjedhjet e 17 dhjetorit, në Komisionin Republikan të Zgjedhjeve (KRZ) ka pasur 109 kundërshtime dhe 3 ankesa më pak se në zgjedhjet e prillit 2022”. Bërnabiq ka deklaruar në televizionin i cili është në shërbim të pushtetit aktual, “TV Pink”, se për zgjedhjet e Beogradit ka pasur vetëm një ankesë në Komisionin Zgjedhor të Qytetit (KZQ), se opozita nuk ka asgjë për t’u ankuar dhe se ajo “veç ashtu” ka kërkuar anulimin e zgjedhjeve”.

Duke folur për votimin e 40 mijë personave nga enklava serbe e Bosnjës dhe Hercegovinës, ajo tha se ata nuk janë në listën zgjedhore dhe se “është e pamundur që ata të votojnë”.

Ajo ka pretenduar se tani janë duke nxjerrë të dhënat përfundimtare se sa njerëz nga Bosnja dhe Hercegovina kanë të drejtën e votës dhe më pas sa prej tyre kanë votuar.

Sipas saj, “opozita ka pritur rezultatet e zgjedhjeve, për të thënë më pas se nuk i njeh ato”.

“Nuk ka asnjë tregues se ajo që thotë opozita për parregullsitë zgjedhore është e vërtetë, kjo është një përpjekje e hapur për destabilizim të Serbisë”, ka pretenduar ajo.