Me helmeta e armë të gjata, si ndodhi grabitja në Tophane?

E publikuar: 18/12/2023 22:27
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Është vetëm njëra ndër këmbimoret që gjendet në lagjen Tophane, por “ExCoins” mëngjesin e së hënës, u shëndrrua në skenë krimi.

Ajo ka qenë cak i një grabitjeje të armatosur, të kryer nga dy persona.

Shuma, megjithëse gjatë ditës u raportuar të jetë rreth 50 mijë euro, nga pronari i saj nuk është përmendur, por ka thënë se nuk është shumë e vogël.

Pronari i “exCoins”, Valton Isufi ka theksuar se “Kanë qenë 2 persona me helmeta, të maskuar, të armatosur me armë të gjata, pasi kanë hyrë në lokal, i kanë nxjerrë armët e gjata nga pallto edhe i kanë kërcënuar punëtorët dhe i kanë detyruar t’i bëjnë lëvizjet që ata kanë dashur. Direkt i kanë futur punëtorët në banjo i kanë mbyllur dhe kanë vazhduar. Cka kanë gjetur i kanë marrë.”

Me të marrë informatën për rasitn, Policia ka dalë në vendin e ngjarjes, duke nisur ndërmarrjen e veprimeve të nevojshme për zbardhjen e rastit.

Policia e Kosovës – Prishtinë “Sot rreth orës 10:00 është raportuar për një grabitje të ndodhur në një këmbimore në lagjen Tophane në Prishtinë. Pas marrjes së informacionit policia ka dalë në vendngjarje dhe bazuar në informacionet e para, dyshohet se nën kërcënim të armës është grabitur një shumë parash. Policia në koordinim me prokurorinë po ndërmerr veprimevet e nevojshme policore me qëllim zbardhjen e rrethanave të rastit.”

Këtë, po e bënë në koordinim me Prokurorinë Themelore të Pejës.

Laureta Ulaj, zëdhënëse e Prokurorisë Themelore në Prishtinë ka theksuar “Ajo çka mund të themi tani është se prokurori kujdestar ka autorizuar policinë në ndërmarrjen e të gjitha veprimeve të nevojshme hetimore për t’i sqaruar të gjitha rrethanat e këtij rasti”.

Grabitjet e armatosura muajve të fundit janë shpeshtuar, ndërsa më e rënda ka qenë ajo në Suharekë, që la edhe një pjesëtarë të policisë të plagosur.

Edhe aksioni për kapjen e të dyshuarve në këtë rast, përveç arrestimit të 4 personave dhe vrasjes së një tjetri, rezultoi me plagosjen e një pjesëtari të policisë./dukagjini