Kryetari i Istogut, Ilir Ferati, ka tentuar t’i marrë meritat për asfaltimin e rrugës për në Mokën, duke mos përmendur se ajo është financuar nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.
“Filluam me asfaltimin e rrugës për në Mokën. Përfundimi i kësaj rruge prej 7.3 km është hapi i parë e shumë i rëndësishëm drejt angazhimit tonë për ta shndërruar Moknën tonë të bukur në atraksion turistik për turistët vendas e të huaj”, ka shkruar Ferati në Facebook.
Atij i është kundërpërgjigjur me ironi zëvendësministri Hysen Durmishi, i cili e “falënderoi” kryetarin e Istogut për promovimin e këtij projekti.
“E falenderoj kryetarin e komunes së Istogut, i cili përmes kësaj video ka promovuar një projekt të financuar 100% nga ne, MMPHI. Të dyja fazat e projektit kapin vlerën prej 3.8 milion euro. Për Istogun dhe komunat tjera do të ketë shumë projekte e financime edhe në vijim. E promovimet pak rëndësi ka se kush i bën”, tha ai.
















