Një vajzë 23 vjeçare shtetase e Shqipërisë, me probleme mendore, dyshohet se u dhunua dje në Pejë.
Për këtë rast janë arrestuar dy persona.
Arrestimin e tyre për Insajderin e ka konfirmuar Shkodran Nikqi, zëdhënës i Prokurorisë Themelore në Pejë.
“Si rezultat i një pune intenzive hetimore policia ka identifikuar dy të dyshuar për rastin e djeshëm”, ka thënë ai shkurtimisht.
Gjatë ditës së djeshme, Nikqi njoftoi se pas ekzaminimeve mjekësore të viktimës, është bërë e ditur se e njëjta është dhunuar.
“Pas veprimeve hetimore dhe ekzaminimit mjekësor të viktimës, dyshohet se është dhunuar. Për këtë çështje janë autorizuar nga Prokurori i Shtetit, Policia e Kosovës për të ndërmarrë veprime hetimore për identifikimin dhe arrestimin e personit apo personave të dyshuar, që e kanë kryer këtë vepër penale”, u shpreh ai.
Lidhur me këtë rast kishte njoftuar edhe Policia e Kosovës.
“DHUNIM- Pejë. 08-09.12.2023 – 18:00-09:00. Nga njësitë policore në Pejë është gjetur viktima femër shtetase e Shqipërisë e cila ishte raportuar në policinë e shtetit të Shqipërisë si person i zhdukur. Lidhur me rastin e njëjta është dërguar në emergjencë për kontrollë mjekësore, ndërsa nën dyshimin se ndaj të njëjtës është kryer vepra e lartcekur me urdhër të prokurorit viktima është dërguar për ekzaminim në IML. Rasti është duke u hetuar”, thuhet në raportin e 11 dhjetorit të Policisë së Kosovës.
















