“Korrupsion i madh”-SHBA sanksionon Nexhat Krasniqin, ish-drejtor i Prokurimit në Ministrinë e Tregtisë

E publikuar: 03/11/2023 14:30
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Departamenti amerikan i Shtetit ka vendosur në listën e sanksioneve Nexhat Krasniqin, ish-drejtorin e Departamentit të Prokurimit në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, për shkak të përfshirjes në korrupsion të madh.

Sipas njoftimit, atij do t’i ndalohet hyrja në SHBA.

“Si zyrtar publik përgjegjës për mbikëqyrjen e kontratave të prokurimit, Krasniqi ka abuzuar me postin e tij publik duke pranuar ryshfet në këmbim të dhënies së kontratës për lejimin e ndërtimit të parkut industrial në komunën e Drenasit nga kompania Eltoni”, theksohet në njoftimin e DASh.

“Veprimi i sotëm tregon se Shtetet e Bashkuara qëndrojnë me ata në Kosovë që kërkojnë llogari nga zyrtarët publikë të korruptuar. Ky emërtim ripohon përkushtimin e SHBA-së për të luftuar korrupsionin, i cili dëmton interesin publik, pengon prosperitetin ekonomik të vendeve dhe pakëson aftësinë e qeverive për t’iu përgjigjur në mënyrë efektive nevojave të njerëzve të tyre.”- përfundon njoftimi./Express