Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës Memli Krasniqi, ka reaguar pas provokimit të tifozve rumunë me banerin nacionalist “Kosova është Serbi”.
Krasniqi tha se s’ka sllogan që e ndryshon realitetin.
“Që nga 17 shkurti i vitit 2008, Kosova është shtet i pavarur, ndërkaq, që nga 3 maji i vitit 2016, Kosova është anëtare me të drejta të plota në UEFA.
Slloganet politike, koret fashiste, fishkëllimat e sharjet drejt djemve tanë dhe Kosovës në Rumani – nuk na ndalin”, tha Krasniqi.
Ai shtoi se Kosova është e përjetshme.
“Kosova, si shtet dhe si kombëtare futbollistike, do të paraqitet me krenari gjithandej nëpër botë, edhe ku nuk na duan e posaçërisht aty. Kemi punuar shumë për këtë ditë dhe nuk dorëzohemi para fashistëve të vegjël turbofolk”, shtoi ai.
Pas shfaqjes së banerit në fjalë, ndeshja u ndërpre.