Prishtina nikoqire e Lojërave Mesdhetare – Rama zotohet për investime, e falënderon Shqipërinë

E publikuar: 11/09/2023 09:32
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo
Perparim Rama

Perparim Rama

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka premtuar më shumë investime në sport, pasi Kryeqyteti është shpallur mikpritës i Lojërave Mesdhetare “Prishtina 2030”.

Në konferencën për medie pas kthimit nga Greqia, Rama ka deklaruar se sportet e plazhit të zhvillohen në Shqipëri, konkretisht Durrës.

Kryetari i Kryeqytetit, tha se falë angazhimit të të gjithë aktorëve, Komitetit Olimpik, Kryeministrisë, Ministrive, Bashkisë së Durrësit u arritë që Lojërat Mesdhetare të organizohen në Prishtinë, në Republikën e Kosovës.

“Këto Lojëra do të na e forcojnë pozicionin si të barabartë midis kombeve, duke na ngritë me krenari dhe me dinjitet edhe më lart në skenën botërore. Fuqia e tyre për me na e gjallëru dhe me na e konsolidu më tutje shtetndërtimin, është thjesht e pashoqe, dhe ne do ta mirëpresim këtë mundësi historike, të mirëpërgatitur dhe me vendosmëri të palëkundshme”.

“Vizioni ynë në Kosovë për Prishtina 2030 përputhet me fokusin e Komitetit Ndërkombëtar të Lojërave Mesdhetare për efiçencën dhe qëndrueshmërinë e burimeve. Ne do ta optimizojmë infrastrukturën ekzistuese dhe në mënyrë strategjike do të shtojmë objekte të reja. Po, do të ndërtojmë ambiente të reja sportive, sepse angazhimi ynë shtrihet edhe përtej këtyre Lojërave”.

“Do ta ndërtojmë stadiumin olimpik të premtuar, me gjithë qendrën sportive, me qëllimin që të krijojmë një trashëgimi të qëndrueshme infrastrukturore, që do ta gëzojmë edhe përtej vetë ngjarjes, në shërbim të fuqizimit të mëtejmë të atletëve tanë, që të na shkëlqejnë kudo nëpër arenat sportive ndërkombëtare”, deklaroi Rama.