Një ngjarje e pazakontë ka ndodhur në Mitrovicë, pasi që një person kishte raportuar dje në polici se veturën e tij të lënë në rrugën “Mbretëresha Teutë” ia kishin vjedhur. Mirëpo, e vërteta ishte krejt tjetër pasi që ankues e kishte ngatërruar vendin e parkimit të veturës, raporton Veriu.info.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës, Avni Zahiti, e ka konfirmuar ngjarjen, duke treguar se ankues sot e ka gjetur veturën. “Një qytetar në cilësi të ankuesit dje në mesditë e kishte raportuar një rast në polici, ku sipas tij, veturën e tij të parkuar në rrugën “Mbretëresha Teutë” ia kishte vjedhur dikush, ndërsa policia ka iniciuar rastin për veturë të vjedhur. Ndërsa sot ankuesi ka ardhur në polici dhe ka njoftuar se veturën e tij e kishte gjetur në rrugën “Ukshin Kovaçica”, aty ku edhe e kishte parkuar një ditë më parë”, tregon Zahiti.
Ai bënë të ditur se ankuesi e kishte harruar vend-parkimin e veturës, dhe kjo kishtë bërë që ai ta raportoj si të vjedhur. /Veriu.info/