Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Samuel Zhbogar e ka përshëndetur vendimin e Qeverisë së Kosovës për hapat e ndërmarrë për themelimin e Gjykatës Speciale. Në një deklaratë të lëshuar për opinion, Zhbogar thotë se “vendimi i sotëm rikonfirmon përkushtimin e autoriteteve të Kosovës për të larguar një re të zezë që po qëndron mbi Kosovë që nga publikimi i raportit të Këshillit të Evropës”.
Lexojeni të plotë deklaratën e Zhbogar:
“Ne përgëzojmë Qeverinë e Kosovës për vazhdimin e përkushtimit ndaj Gjykatës së Posaçme, e inicuar nga Shkëmbimi i Letrave dhe të miratuar nga Kuvendi. Gjykata e Posaçme nuk ka të bëjë me ndjekjen penale të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës por me përcaktimin e përgjegjësisë penale të individëve. Vendimi i sotëm rikonfirmon përkushtimin e autoriteteve të Kosovës për të larguar një re të zezë që po qëndron mbi Kosovë që nga publikimi i raportit të Këshillit të Evropës”.