Kuçi do t’i kërkojë ndihmë Qeverisë për pagat e punëtorëve të Trepçës

E publikuar: 12/11/2020 14:12
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ministri i Ekonomisë dhe Ambientit (MEA), Blerim Kuçi bashkë me drejtorin e njësisë për politika dhe monitorim të ndërmarrjeve publike, Besnik Krasniqi, sot kanë pritur në takim këshillin grevist të punëtorëve të Trepçës, të kryesuar nga Ragip Istrefi, përfaqësuesin e Sindikatës së Trepçës, Gani Osmani, shtruesin e detyrës të kryeshefit të “Trepçës”, Hysen Vrajolli dhe disa punëtorë të ndërmarrjes.

Sipas një komunikate të MEA, temë diskutimi në këtë takim ishte gjendja e vështirësuar e ndërmarrjes publike “Trepça” sh,.a. gjegjësisht bllokimi i llogarive të tyre duke pamundësuar edhe dhënien e pagave.

Ministrit Kuçi i janë paraqitur kërkesat e këshillit grevist, të cilët kërkuan ndihmë financiare që të kalojnë këtë gjendje.

Duke u treguar për ndihmën që kësaj ndërmarrje i është dhënë edhe me masat përkrahëse të pakos për rimëkëmbje ekonomike, ministri Kuçi, u ka premtuar punëtorëve dhe menaxhmentit që nga buxheti për rimëkëmbje ekonomike brenda njësisë për politika dhe monitorim të ndërmarrjeve publike do t’u ndahet një shumë e mjeteve dhe do të kërkohet në mbledhje të Qeverisë ndihmë shtesë.

“Ajo që mund t’iu garantoj është se ne kemi një shumë të mjeteve në buxhetin e Njësisë për Politika dhe Monitorim të Ndërmarrjeve Publike, të cilën mund ta ekzekutojmë menjëherë. Mirëpo, kërkesa juaj është më e madhe dhe për këtë unë në mbledhjen e nesërme të Qeverisë së Kosovës do ta paraqes këtë shqetësim dhe do të kërkoj ndihmë për juve për të kaluar këtë situatë”, ka thënë ministri Kuçi.