Ish-ministri i Ekonomisë dhe Financave, Haki Shatri ka theksuar se procesin e privatizimit, Bashkimi Evropian e ka projektuar për rezultate të tyre, por që sipas tij, gjatë kohës sa ishte ai ministër Qeveria e Kosovës nuk kishte asnjë kompetencë. Ai ka konsideruar se ky proces nuk ka arritur efektet e pritura në shkallën e tërheqjes së investimeve të huaja, e as në punësimin e qytetarëve të vendit. Për këtë sipas tij faji është edhe te metoda e zgjedhjes, meqë institucionet e vendit nuk e kanë përshtatur atë me interesat e vendit.
Shatri gjatë intervistimit nga anëtarët e Komisionit Hetimor Parlamentar lidhur me procesin e privatizimit në Kosovë, tha se ky proces gjatë kohës sa ka qenë ai ministër, nuk ka arritur qëllimet e caktuara. Sipas tij, Qeveria e Kosovës nuk ka pasur kompetenca, dhe asnjë cent nga fondi i privatizimit nuk është kaluar në buxhet të Kosovës.
“Procesi i privatizimit në atë periudhë si opinion dallon shumë prej opinionit të sotëm. Institucionet vendore, shoqëria civile, bota shkencore ata që kanë punuar në Kosovë, e kanë pritur me admirim fillimin e procesin e privatizimit për një arsye të vetme. E kaluara ekonomike e Kosovës ka qenë ndërmarrje shoqërore që janë menaxhuar 10 vitet e fundit të suprimimit të autonomisë, janë plaçkit dhe shkatërruar. Fundi i luftës i ka gjetur në një gjendje të mjerueshme. Është shpresuar që një proces i privatizimit do ta kthej këtë pasuri potenciale në funksion të mirëqenies. Por, ky proces është udhëheq nga UNMIK-u, nga Kombet e Bashkura. Ka menaxhuar me pasurinë e Kosovës që ka qenë ndërmarrje shoqërore, ndërmarrje publike dhe pronë shtetërore. Dhe kanë pasur të drejtë me na menaxhua dhe mos me i dhënë llogari askujt në Kosovë përveç Kombeve të Bashkuara”, tha ai.
Pavarësisht synimit që të kthehen pasuritë e Kosovës në shërbim të vendit, Shatri tha se nuk është arritur qëllimi i këtij procesi. Ndër tjera, nuk ka pasur as efekt në shkallën e tërheqjes së investimeve të huaja.
“Privatizimi nuk i ka dhënë efektet e pritura në shkallën e tërheqjes së investimeve të huaja, që ka qenë një qëllim i privatizimit. Me tërheqjen e investimeve të huaja, se ne si shtet nuk kemi pasur kapacitet potencial për një zhvillim që e kemi dëshiruar. Nuk ka dhënë efekte në punësim, nuk ka dhënë efekte në përmirësimin e pozitës sociale të qytetarëve dhe as atyre që kanë qenë të punësuar në këto ndërmarrje, nuk ka dhënë efekte të pritura edhe në përmirësimin e bilancit ndërkombëtar të këmbimeve të mallrave. Dhe praktikisht kanë munguar efektet e pritura. Kjo është në parim një vlerësim për mos efikasitetin e procesit të privatizimit në Kosovë… Jo nuk është ashtu, mos ma devijo mendimin…Procesi ka qenë i projektuar jo për interesat në Kosovë, por i menduar që BE si e ngarkuar për zhvillim ekonomik edhe të tranzicionit e ka menduar vetëm interesin e vet me përfundua këtë fazë edhe me raportu si rezultat. Absolutisht Qeveria e Kosovës nuk ka pasur asnjë kompetencë”, ka shtuar ai.
Ndër tjera, Ish-ministri i Ekonomisë dhe Financave i pyetur nga anëtari Bekë Berisha për procesin e privatizimit dhe çmimin fitues, Shatri tha se çmimi më i lartë ka qenë ai fitues. Ndërkohë ka treguar se në vitin 2007 me kërkesë të anëtarëve të bordit kishte filluar një pagesë prej 200 eurove, por që ai u zotua se nuk ka marrë fare pagë.
Anëtarët e Komisionit Hetimor Parlamentar janë interesuar edhe për shitjet që janë bërë gjatë kohës sa ka qenë ministër Shatri. Për këtë janë zhvilluar 27 raunde me vlerë prej 350 milionë eurove.
Veç tjerash, ai nuk ka përjashtuar mundësinë për raste korruptive që kanë ndodhur gjatë këtij procesi, megjithatë theksoi se nuk dinë raste të tilla, derisa u zotua se po të ishte në njohuri do të raportonte edhe për vëllain e tij.
Ish-ministri i Ekonomisë tha se faji i dështimit të këtij procesi qëndron tek metoda e përzgjedhur.
“Faji i dështimit të procesit pak te metoda e përzgjedhjes për privatizim edhe tek ata që e kanë filluar edhe që e kanë udhëhequr deri në vitin 2008. Ajo që e kam vërejtje për institucionet e tona është që kur është nxjerrë ligji për AKP në vitin 2008 praktikisht është kopjuar rregullorja e UNMIK-ut për AKM, asnjë përmbajtje nuk i është ndërruar, përveç që më nuk kanë qenë shefi i shtyllës së katërt drejtor. Institucionet tona nuk kanë shikuar me përshtat një metodë të privatizimit për interesat e vendit. Aq më keq kanë vazhduar dhomat e posaçme mos me njohur pavarësinë e Kosovë. Edhe sot nuk e njeh gjykimet që i bën për tenderimet ajo vepron në bazë të ligjit të vet, nuk e njeh ligjin e Kosovës”, ka shtuar ai.
Haki Shatri tha se ndërkombëtarët nuk kanë penguar në proces të privatizimit, ndërkohë që i pyetur se në cilën parti ka qenë gjatë kohës sa ishte anëtar i Bordit, ai tha se ishte ministër i zgjedhur nga Lidhja Demokratike e Kosovës. Në mungesë kuorumi mbledhja është ndërprerë, derisa kryetari i komisionit Hajrullah Çeku tha se anëtarët dhe Shatri do të njoftohen me kohë për vazhdimin e mbledhjes./Sh.Pajaziti