Kryeministri Avdullah Hoti ka mbajtur mëngjesin e sotëm konferencë për media ku ka arsyetuar vendimet e tij për shkarkimet e drejtuesve të tri institucioneve më të rëndësishme të vendit.
Në lidhje me lirimin nga detyra të kreut të ATK-së, Ilir Murtezaj, Hoti u shpreh se ka qenë në përputhje me ligjin pasi ish-drejtuesi i Administratës Tatimore është treguar i paaftë dhe ka shfaqur sjellje jo të mira. Sipas Hoti, Murtezi ka bërë lëvizje të shpeshta të stafit dhe ka shkaktuar pakënaqësi.
Ndërsa për ndryshimet në Doganë, Hoti ka thënë se është caktuar ushtruesi i detyrës meqë konkursi po vazhdon.
Në lidhje me shkarkimin e drejtorit të Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj, shefi i ekzekutivit tha se ka ndodhur për shkak të performancës jo të kënaqshme në realizimin e detyrave. Tjetër arsye, Hoti ka thënë se është menaxhimi jo i mirë i aksionit në Karaçevë.
Hoti shtoi se edhe në vitin 2019-2020 janë arrestuar një numër i madh i policëve të Kosovës, ku nuk është marrë asnjë veprim për të ndryshuar gjendjen, ndërsa theksoi se Qalaj ka ndryshuar organogramin e institucionit dhe asnjëherë nuk e ka publikuar atë.