Ministri Zemaj falënderon qytetarët: Ditëve të fundit shënuam rezultate pozitive

E publikuar: 19/07/2020 14:19
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka thënë se rezultatet pozitive ditëve të fundit, rreth zvogëlimit të rasteve me COVID-19, janë si pasojë e kujdesit që e kanë treguar qytetarët, duke bartuar maska mbrojtëse, ruajtur distancën fizike, mbajtur higjienën personale e kolektive dhe mbi të gjitha duke ngritur nivelin e përgjegjësisë dhe të sjelljes përballë një rreziku siç është Covid-19.

Zemaj pret që këto rezultate të përmirësohen edhe më tej dhe të ketë zbatim të masave dhe rekomandimeve të profesionistëve.

Ky është shkrimi i plotë i tij:

Qytetarë të dashur,
Masat e ndërmarra nga Qeveria e Republikës së Kosovës /Ministria e Shëndetësisë në menaxhimin e pandemisë Covid-19 kanë filluar të prodhojnë rezultate pozitive. Ky është rezultat i kujdesit që keni manifestuar ditëve të fundit duke bartuar maska mbrojtëse, ruajtur distancën fizike, mbajtur higjienën personale e kolektive dhe mbi të gjitha duke ngritur nivelin e përgjegjësisë dhe të sjelljes përballë një rreziku siç është Covid-19. Ne presim që këto rezultate të përmirësohen edhe më tej, ndërsa, përgjegjësia na thërret që të vazhdojmë me disiplinë, kujdes, zbatim edhe më rigiroz të masave e rekomandimeve të profesionistëve me qëllim që puna e personelit shëndetësor dhe shërbimeve të tjera të lehtësohet dhe shëndeti i popullatës të ruhet.
Mos u Shliro!
Bashkë për shëndetin e të gjithëve!
#QeveriaHoti