Një person është arrestuar nga Policia pasi i njëjti kishte kanosur me thikë dy persona të tjerë gjatë një rrahje në Mitrovicë.
Lajmin e ka konfirmuar për Gazetën Sinjali, zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës, Avni Zahiti.
Ai tha se gjatë zhvillimit të kësaj ngjarjeje në atë lokacion kishte kaluar rastësisht një zyrtar policor në rroba civile, i cili kishte intervenuar dhe si pasojë kishte mbetur i lënduar.
“Sot rreth orës 12.00, Policia e Kosovës ka pranuar informacione se në Mitrovicë ka ndodhur një rrahje mes disa personave. Sipas informacioneve, në lokacionin e lartëcekur, një person i dyshuar kishte kanosur me një mjet të mprehtë – thikë dy persona, ku gjatë zhvillimit të kësaj ngjarjeje në atë lokacion kishte kaluar rastësisht një zyrtar policor në rroba civile, i cili kishte intervenuar menjëherë, me qëllim që ta ndal veprën e personit të dyshuar. Si pasojë e këtij intervenimi gjatë ballafaqimit me të dyshuarin, nga sulmi i tij, zyrtari policor kishte pësuar lëndime trupore.
Pas pranimit të këtyre informatave, në vendngjarje kanë dalur njësitë policore, me ç’rast është bërë arrestimi i personit të dyshuar, i cili kishte nën posedim një mjet të mprehtë – thikë e cila i është sekuestruar si provë materiale në lidhje me rastin. Përveq personit të dyshuar, është bërë edhe shoqërimi i dy ankuesve në stacion policor”, njofton policia.
Sipas njoftimit, zyrtari policor i lënduar ka pranuar tretman mjekësor, poashtu është bërë intervistimi i personit të dyshuar nën prezencën e avokatit, dhe në konsultim me prokurorin, me vendim të tij i dyshuari është dërguar në mbajtje për 48 orë./Gazeta Sinjali/


















