Presidenti i SHBA-së mund ta shkelë normën më të madhe të demokracisë

E publikuar: 19/06/2020 09:19
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

LE TË THEMI se Joe Bideni i fitoi zgjedhjet e nëntorit. Mëngjesin e 20 janarit, Donald Trumpi do të hyjë në Zyrën Ovale dhe t’ia lërë Bidenit në tryezë një letër. Më vonë, Trumpi dhe bashkëshortja e tij, Melania, do të qëndrojnë në krahun verior të Shtëpisë së Bardhë për t’i pritur për vizitë presidentin e zgjedhur dhe bashkëshorten e tij, Jill. Pasi limuzina e blinduar t’u afrohet dyerve, çiftet do të shkëmbejnë përshëndetje e mbase edhe dhurata, përpara se të vazhdojnë brenda për nga një kafe.

Fotografitë e Trumpit veç do të hiqeshin nga kornizat gjigante që, për momentin, qëndrojnë të varura bosh nëpër mure. Punëtorët duhet t’i kenë lëshuar perdet dhe palosur qilimat që nuk përkojnë me shijet e familjes në ardhje. Dikur para mesditës, çiftet do të largohen nga Shtëpia e Bardhë me vetura të ndara dhe do të takohen sërish në Capitol. Trumpi do të jetë në krye të rendit, duke e shikuar Bidenin tek e vendos dorën mbi Bibël dhe e jep betimin. Ndërkohë në Shtëpinë e Bardhë, ndihmësit e lartë të Trumpit do të paketohen dhe largohen. Pas ceremonisë, presidenti i 45-të dhe ai i 46-i do të ecin krah për krah drejt helikopterit në pritje në Capitol, për përshëndetjen e fundit. Trumpi do të përshëndetë të pranishmit, të hipë në aeroplanë dhe largohet.

Apo mbase jo.

Çdo katër a pesë vjet, ora tregon mesditën e 20 janarit dhe vendi mëson nëse presidenti i vjetër e pranon legjitimitetin e të riut.

“Mandati aktual presidencial përfundon në mesditën e 20 janarit. Pikë”, ka thënë Joshua Geltzer, një profesor i së drejtës në Georgetown. Nëse Bideni fiton, kjo është ora ekzakte kur mandati i tij do të fillojë. Ky është çasti më i rrezikshëm i demokracisë: intervali kur ndërrimi i pushteteve ndodh, për të treguar nëse vendi i përmbahet vetëqeverisjes.

Intervenimi i ushtrisë?

Kjo normë tradicionale varet tani nga bashkëpunimi i Trumpit – apo elasticiteti i institucioneve demokratike të vendit nëse ai e refuzon një gjë të tillë. Nuk ka garanci se Trumpi do ta pranojë validitetin e rezultateve zgjedhore. Ai tanimë e ka përshkruar votimin me postë si një komplot për vjedhjen e zgjedhjeve. Dhe i ka ngacmuar kritikët me sugjerimet se mund të qëndrojë në zyrë edhe përtej kufizimit kushtetues tetëvjeçar.

Trumpi mund edhe të fitojë, natyrisht. Por nëse Bideni siguron mjaftueshëm shtete vendimtare, çdo pretendim se Trumpit i është vjedhur fitorja do të ishte apriori absurd.

Në mesditën e 20 janarit ai nuk do të ishte më president dhe nëse i bojkoton ritualet e dorëzimit të detyrës dhe ngujohet përbrenda Shtëpisë së Bardhë, do të gjunjëzohej.

“Mund të ulet diku në Zyrën Ovale, t’i kryqëzojë duart dhe të thotë: ‘Nuk do të dalë’, por… bartja e detyrave do të ndodhë me apo pa të”, ka thënë Jonathan Wackrow, një ish-agjent i Shërbimit Sekret, i cili ishte njeriu kryesor i protokollit presidencial dhe në krye të detyrës ditën kur Barack Obama e mori detyrën prej George W. Bushit. Në një intervistë për “Fox News” të premten, Trump tha se nuk mund ta pranojë disfatën se, nëse humb, do të largohej.

“Qartazi, nëse nuk fitoj, nuk fitoj”, ka thënë ai, duke shtuar se do të “vazhdonte tutje, me gjëra të tjera”.

Senatorja Lindsey Graham, një republikane nga Karolina Jugore dhe e besuar e Trumpit, ka thënë se nuk beson që Trumpi do ta sfidonte verdiktin elektoral.

“Nuk bie në këso gjërash të ulëta. Nuk shqetësohem për këtë gjë”, ka thënë ajo.

Ama, kundërshtarët e Trumpit nuk janë kaq të sigurt. Duke folur për Trevor Noahun të mërkurën, Biden parashikoi se ushtria mund të thirret për ta nxjerrë Trumpin po qe se vjen deri te një gjë e tillë.

“Jam absolutisht i bindur se ata do ta shoqëronin atë nga Shtëpia e Bardhë, me shpejtësi të madhe”, ka thënë Bideni.

Që momenti të bëhet akoma më pikëllues do të ndikonte që rezultatet të jenë të ngushta dhe të kontestueshme. Nëse Bideni e shënon një fitore të ngushtë, Trumpi mund t’i kontestojë rezultatet dhe të pretendojë se në fakt ai ka fituar. Mund të përdorë ushtrinë dhe mjetet e tjera, duke i detyruar që të mbajnë anë. Departamenti i Drejtësisë i udhëhequr nga kryeprokurori, William Barr, mund t’i mbështesë pretendimet e Trumpit.

“Është vërtet vështirë që ndokush në ushtri, në cilindo nivel, të thotë diçka tjetër pos ‘Po, zotëri’. Ata nuk janë avokatë”, ka thënë Rosa Brooks, ish-zyrtare Pentagoni në administratën Obama./KOHANET/