AKEP, brenda muajit shtator 2018 reduktime të rëndësishme të tarifave të roaming me vendet e rajonit

E publikuar: 17/04/2018 07:24
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Në fund të vitit të kaluar, operatori “Plus Communication” ndërpreu aktivitetin, për shkak të vështirësive financiare dhe pamundësisë për të mbijetuar në tregun e shërbimeve të komunikimit të lëvizshëm. Dalja nga tregu e “Plus” nuk ishte thjesht dështimi i një hyrësi të vonë në treg, por edhe rrjedhojë e një lufte biznesi ku, sipas aksionerëve të “Plus”, u përdorën edhe forma të jashtëligjshme të konkurrencës nga operatorët me fuqi dominuese në treg.

Kryetari i Këshillit Drejtues, Ilir Zela, thotë në një intervistë për “Scan Magazine” se Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare nuk do të lejojë më në të ardhmen përdorimin e këtyre formave të konkurrencës së pandershme, si çmimet grabitqare apo “efekti club”, përmes të cilave operatorët më të mëdhenj çojnë drejt falimentimit ata më të vegjël. Sipas tij, në këtë treg do të vendosen masa rregullatore proporcionale, për të garantuar konkurrencën dhe rritjen e investimeve.

Ai shton se gara e ardhshme për ndarjen e frekuencave në brezin 800 Mhz nuk do të jetë domosdoshmërish garë e mbyllur mes operatorëve ekzistues, sepse po bëhen përpjekje për të tërhequr në treg edhe aktorë të rinj. Zoti Zela paralajmëron zhvillime të shpejta edhe për sa i takon uljes së tarifave të roaming me vendet e rajonit. Sipas tij, objektivi është që kjo të arrihet brenda shtatorit të këtij viti.

Deri një dekadë më parë, sfida kryesore për drejtuesit e AKEP ishte niveli i lartë i tarifave. Cilat vlerësoni se janë sfidat dhe objektivat kryesorë të mandatit tuaj drejtues?

Nëse kthehemi në histori, Shqipëria ka pasur shumë prapambetje, mes të tjerash, edhe në fushën e komunikimit. Gjurmë të kësaj prapambetjeje duken edhe sot. Nëse kalon në akset kryesore, ende mund të gjesh gjurmën e sistemit të vjetër me shtylla dhe tela. Sot, situata është më e përmirësuar, në kuptimin që përgjithësisht njerëzit i gëzojnë shërbimet e komunikimit. Megjithatë, nevoja për investime është shumë e madhe, sepse cilësia dhe depërtimi i shërbimeve lë për të dëshiruar. Shpejtësia me të cilën shërbimet përmirësohen nuk është ende në atë nivel që na duhet. Nëse flasim për sfidë, kjo duhet parë në gjithë historinë e vet. Për fat të keq, Shqipëria nuk ka qenë ndonjëherë në vijën e parë të përparimeve në fushën e komunikimeve elektronike. Nëse dikur kishim tarifa të larta, për të keq, marzhi i siguruar nga operatorët që ishin në gjendje të mbanin tarifa aq të larta, nuk është përdorur në masën e duhur për të përmirësuar infrastrukturën e komunikimeve elektronike. Nuk jemi të kënaqur me penetrimin e fibrës optike; nuk jemi të kënaqur me konektivitetin në premisat e pajtimtarëve, qofshin biznese apo familjarë; nuk jemi të kënaqur me nivelin aktual të investimeve, nuk jemi të kënaqur me shkallën e përdorimit të teknologjive të reja. Ndaj mund të them se sfida kryesore sot për sektorin është si shtojmë investimet në këtë sektor, që Shqipëria të kalojë nga një prapambetje relative në një nivel të krahasueshëm me vendet e Bashkimit Europian. Objektivi i BE është që brenda vitit 2020 100% e popullsisë të marrë internet me 30 Mbps dhe shpejtësi akoma më të lartë për 80% të popullsisë. Kjo lidhet sigurisht me investimet, me aftësitë që ka sistemi i komunikimeve elektronike për të mbështetur rritjen në të gjithë sektorët e tjerë.

Shqipëria ngelet ende një vend i prapambetur, sidomos për sa i takon depërtimit të linjave fikse. Si mund të nxiten investimet në këtë drejtim?

Nuk ka një formulë magjike. Ajo ku unë besoj, edhe në frymën e ligjit “Për komunikimet elektronike” është tregu i lirë, konkurrenca. Prioriteti im i parë është sigurisht nxitja e investimeve. Në mesin e muajit shkurt ne hapëm konsultimin publik për brezat e dividentit digjital. Kjo do të thotë se do të vëmë në dispozicion të industrisë më shumë spektër, për të investuar dhe për të rritur cilësinë e shërbimeve të internetit për pajtimtarët e rrjeteve të lëvizshme ose fikse. Edhe dallimi mes shërbimeve fikse dhe të lëvizshme po ngushtohet gjithmonë e më tepër dhe po shkohet drejt një konvergjence.

Prioriteti i dytë është konkurrenca. Rritja e investimeve arrihet pikërisht duke e bërë tregun më konkurrent dhe duke i nxitur aktorët e tregut që të jenë më inovativë. Operatorët nuk duhet të bazohen në modele biznesi ndonjëherë të vjetëruara, por të synojnë më të mirën që ofron teknologjia. Kjo lidhet edhe me eficiencën ekonomike. Fakti sesa është në gjendje prodhimi i një tregu që të rritet varet, së pari, nga struktura e atij tregu. Nëse kemi një strukturë konkurrenciale, edhe prodhimi do të jetë më i lartë, ineficiencat do të jenë më të ulëta dhe mundësitë për investime do të jenë më të mëdha. Nga ana tjetër, kjo kërkon edhe vetëdije publike, sepse jo në çdo zonë të vendit nevojat për investime mund të përmbushen nga mekanizmat e tregut. Ka zona ku investimet nuk janë të justifikuara në këndvështrimin komercial. Në këto zona nevojitet edhe një mbështetje publike, në një formë apo në një tjetër, për të garantuar një zhvillim të balancuar të gjithë sistemit të telekomunikacioneve në vend.

Operatorët celularë, me koordinimin e AKEP, kanë nënshkruar një marrëveshje për mbulimin me shërbim broadband të zonave ku nuk ka interes komercial. A ka pasur deri tani rezultate nga kjo marrëveshje?

Është një shqetësim shumë i drejtë. Marrëveshja është një çështje e vullnetit të mirë, por nuk është e mjaftueshme. Ndër mënyrat për t’i mbuluar me shërbim zonat komercialisht joatraktive janë detyrimet e licencave të operatorëve. AKEP ka bërë disa përpjekje që këto detyrime licencash të zbatohen dhe jemi duke shtuar një sens rigoroziteti në këto detyrime. Një ndër masat e para të planifikuara edhe në planin e veprimit gjatë vitit 2018 është pikërisht imponimi i zbatimit të kushteve të licencave nga operatorët aktualë. Ka disa zona në Shqipëri ku mbulimi me rrjet mungon ose është shumë i dobët dhe operatorët janë në moszbatim të detyrimeve në licencat e tyre. Ligji parashikon edhe sanksione, ndaj ne nuk do të hezitojmë t’i përdorim, nëse operatorët nuk do të punojnë për të ofruar shërbim në këto zona. Ne nuk mund të lejojmë zhbalancime, vetëm sepse ndonjë operator nuk ka interes të zbatojë kushtet e licencës. Për shembull, nëse qeveria investon miliona për të ndërtuar rrugën për në Vermosh, është e papranueshme që operatorët të mos zbatojnë kushtet e licencave dhe të mos ofrojnë shërbim në këto zona.

Kur besoni se do të tenderohen autorizimet për përdorimin e brezit 800 Mhz?

Pjesa më e vështirë, lirimi i këtij brezi, tashmë është kaluar. Tani jemi në momentin kur duhet të ndjekim hapat e përcaktuar në ligj për një proces transparent tenderimi. Nuk do të kemi vonesa përtej afateve që na i kërkon ligji. Pas konsultimit publik dymujor, AKEP ka afat një muaj për t’i propozuar ministrit përgjegjës një vlerë dysheme për tenderin. Pasi ministri ta miratojë, pastaj nuk ka më pengesa për hapjen e tenderit. Ndërkohë, jemi duke punuar, në bashkëpunim me Ministrinë e Financave dhe atë të Infrastrukturës, për të rritur interesin e investitorëve potencialë rreth këtij spektri.

Pra, nuk e shihni si një garë të kufizuar mes operatorëve ekzistues?

Jo, aspak. Përkundrazi, një nga mënyrat e rritjes së konkurrencës është shtimi i numrit të aktorëve. Nëse do të kemi hyrje të operatorëve të rinj, ky do të jetë një zhvillim shumë i shëndetshëm për tregun.

Që prej vitit 2016, shërbimi i portabilitetit pothuajse është bllokuar nga operatorët celularë. Si po e ndjek AKEP këtë problem?

Kjo na sjell te kolona e tretë e veprimtarisë së AKEP dhe që është mbrojtja rigoroze e të drejtave të pajtimtarëve të shërbimeve të komunikimeve elektronike. Ne po bëjmë, as më pak dhe as më shumë, nga sa thotë ligji “Për komunikimet elektronike”. Është e drejtë e pajtimtarit që numri i tij të portohet brenda 24 orëve nga dorëzimi i kërkesës. Për këtë nuk duhet të ekzistojë asnjë lloj shfajësimi nga operatorët. Kemi amenduar rregulloren e portabilitetit dhe angazhohemi ta bëjmë bartjen e numrit brenda 24 orësh, siç ndodh edhe në Itali. Pajtimtari do të shkojë te operatori marrës dhe do t’i jepet koha e saktë kur kërkesa e tij është hedhur në sistem. Brenda 24 orëve ai do të ketë shërbim nga operatori i ri. Kjo do të monitorohet nga ne në mënyrë rigoroze. Jemi në përfundim të këshillimit publik për këtë çështje. Sigurisht, duhet një afat për mundësimin e infrastrukturës operacionale, afat që besoj se do të jetë nga katër deri në gjashtë muaj. Por, ndërkohë, ne kemi shtuar monitorimin e zbatimit të rregullave ekzistuese dhe po kufizojmë në minimum arsyet pse portimi mund të refuzohet. Për shembull, deri tani arsyeja kryesore e refuzimeve ka qenë mospërputhja mes emrit të kërkuesit me emrin që numri ka qenë i regjistruar në sistemin e operatorit. Kemi dyshime se, shpeshherë, ky përdorej edhe si pretekst nga operatorët për të bllokuar portimin. Me rregulloren e re, nuk do të ketë rëndësi emri dhe mbiemri i pajtimtarit, por do të merret në konsideratë vetëm numri i identitetit. Kjo është edhe përvoja më e mirë e vendeve të tjera. Probabiliteti nuk është vetëm e drejtë e pajtimtarit, por edhe masë që nxit konkurrencën midis operatorëve.

Çfarë ndikimi prisni të ketë te konkurrenca dalja nga tregu e operatorit Plus Communication?

Dalja nga tregu e një operatori sigurisht që nuk është në të mirë të konkurrencës. Megjithatë, ky ishte një vendim i aksionerëve të shoqërisë. Ne jemi përpjekur ta administrojmë sa më mirë këtë proces. Ne garantojmë se do të bëjmë detyrën tonë, në mënyrë që të vendosen ato masa rregullative proporcionale të cilat do të kompensojnë efektet e mundshme nga ulja e numrit të operatorëve. Për shembull, në analizat tona të tregjeve, AKEP do të marrë parasysh edhe faktin se dy prej operatorëve ekzistues kanë më shumë spektër në dispozicion. Shumë shpejt, do të nxjerrim dokumente të reja për konsultim publik, për analizën e tregjeve të tjera, krahas atij të terminimit. E kam fjalën për tregjet e akses-origjinimit ose për tregun e shërbimeve me pakicë. Rezultat i gjithë këtyre analizave, do të jetë një AKEP më i vëmendshëm, më profesional dhe më proaktiv. Do të përpiqemi të veprojmë jo pasi të kenë ndodhur fenomene me pasoja të pariparueshme për tregun dhe pajtimtarët, por përpara se problemi të ketë shkaktuar pasoja.

Në strategji keni përmendur identifikimin e sjelljeve që lidhen me tarifat pajustifikueshmërisht të ulëta nga Operatorët me Fuqi të Ndjeshme në Treg. Si do ndërhyjë AKEP në këto raste?

Autoriteti i Konkurrencës është marrë gjerë e gjatë me një fenomen të quajtur “efekti club” ose diferencimi midis tarifave të shërbimeve brenda rrjetit me ato jashtë rrjetit, për të siguruar avantazh strategjik. Për ne është një privilegj që Autoriteti i Konkurrencës e ka analizuar një situatë të tillë dhe na ka vënë në dispozicion gjetjet e veta. Në atë kohë, Autoriteti i Konkurrencës rekomandoi që operatorët me fuqi të ndjeshme duhet të ndaloheshin të diferenconin tarifat e thirrjeve brenda rrjetit me ato jashtë rrjetit. Shqetësimi kryesor ka qenë se tarifat e aplikuara brenda rrjetit ishin shumë të ulëta, të tilla që krijonin një lloj mbylljeje dhe që mund të konsiderohej si një sjelljeje strategjike në dëm të operatorëve më të vegjël. Për shërbimet nën rregullim, subvencionimi i drejtpërdrejtë ose i tërthortë vlerësohet si sjellje strategjike, ndaj kjo është një çështje që e obligon AKEP ta studiojë dhe ta mbajë nën mbikëqyrje tregun, për të shmangur deformime në të ardhmen. Këtë do ta bëjmë duke analizuar të dhënat që marrim periodikisht për tregun, për të parë nëse kemi të bëjmë me çmime grabitqare dhe me shtrydhje të marzhit apo sjellje të tjera strategjike që synojnë të krijojnë disavantazhe për aktorët më të vegjël; ose, më keq, akoma t’i detyrojnë këta operatorë të dalin nga tregu, siç ndodhi me “Plus“.

Pra, qasja juaj ndaj fenomenit të price squeeze nga operatorët me pozitë dominuese do të jetë më aktive nga sa ka ndodhur në të shkuarën?

Do të përdorim ligjin për mbrojtjen e konkurrencës dhe praktikat më të mira rregullatore të vendeve të BE. Duam t’i adresojmë shqetësimet para se ato të prodhojnë pasoja të negative mbi tregun. Ndër mekanizmat e propozuara janë testet për çmimet grabitqare, të cilat aplikohen ex ante. Do të shohim nëse kjo do të jetë ndër mënyrat më efektive për të siguruar konkurrencën e ndershme në tregje.

AKEP është bërë objekt i akuzave nga operatorët Vodafone Albania dhe Telekom Albania”, se po synon të vendosë kushte diskriminuese për to, duke favorizuar operatorin tjetër, Albtelecom. Konkretisht, ata ju akuzojnë se doni të riktheni asimetri të tarifave të terminimit në favor të operatorit Albtelecom, si edhe për heqjen e detyrimit ndaj këtij operatori për mosdiferencim të tarifave brenda rrjetit dhe jashtë rrjetit. Sa ka të vërtetë në atë që pretendojnë këta dy operatorë?

AKEP është një institucion i pavarur dhe shumë transparent. Për çdo procedurë vendimmarrjeje, AKEP zhvillon proces konsultimi publik dhe tërheq mendimet e palëve të interesuara. Në përfundim të konsultimit, argumentet e vendimmarrjes publikohen, ashtu siç edhe publikohen argumentet e paraqitura nga palët e interesuara. Pra, procesi është tërësisht transparent, që nga fillimi deri në fund. Ka pasur një shqetësim në disa media lidhur me atë që konsiderohet një dokument i propozuar për vendimmarrje në AKEP, por që nuk është referuar në mënyrë të ligjshme. Duhet të sqarojmë se brenda AKEP mund të qarkullojnë drafte apo dokumente të ndryshme, por dokumente zyrtare të lidhura me vendimmarrjen janë vetëm ato që miratohen nga Këshilli Drejtues i AKEP. Nuk ka asnjë dokument zyrtar të këtij lloji, që të jetë referuar nga ndonjë media apo nga ndonjë agjenci reklamash apo palë tjetër e interesuar. Ka pasur edhe sulme personale ndaj meje, por që nuk kanë asnjë lidhje me vendimmarrjen në AKEP, që do të bazohet gjithmonë në parimin e ligjshmërisë, transparencës dhe interesit publik. Ne do t’i përmbahemi me rigorozitet rrugës ligjore dhe nuk do të lejojmë që asnjë palë ta ndikojë në mënyrë të jashtëligjshme këtë vendimmarrje, për interesat e veta. Detyra ligjore e AKEP është të vendosë masat ligjore proporcionale, për të siguruar konkurrencë dhe investime në tregjet e shërbimeve të komunikimeve elektronike. Detyra jonë është që vendi të ketë një autoritet rregullator të pavarur, modern, që të jetë në gjendje të zbatojë ligjin në mënyrë të balancuar dhe të ndjekë standardet më të larta të rregullimit të këtyre tregjeve. Gjithçka tjetër është e kuptueshme në pazarin e interesave bizneso-politiko-mediatike që kanë ekzistuar për një kohë të gjatë në Shqipëri.

Kur do të ketë një vendimmarrje lidhur me këtë çështje?

AKEP ka vendimmarrje të vazhdueshme. Analiza e tregut të terminimit është objekt i vendimmarrjes prej disa javësh. Po kaq e rëndësishme është të analizohen dhe tregjet e tjera, si tregu i pakicës, i akses-origjinimit apo i terminimit të thirrjeve ndërkombëtare. Kombinimi i këtyre analizave do të na japë edhe konkluzionet e duhura, lidhur me masat e nevojshme për të korrigjuar deformimet e konkurrencës në këto tregje. Është një analizë komplekse, për të cilën jemi mbështetur me konsulencë nga fondet e Bashkimit Europian dhe BERZH. Njerëzit që e kanë përfituar këtë përvojë janë brenda stafit të AKEP dhe unë kam besim të plotë në aftësitë e tyre për të analizuar siç duhet tregjet dhe për të propozuar masat përkatëse. I ftoj operatorët të kenë durim dhe besim në paanshmërinë e AKEP dhe në faktin që AKEP do të zbatojë kurdoherë parimin e ligjshmërisë në vendimmarrjen e tij

Personalisht, e shihni si një mundësi kthimin e asimetrisë në tarifat e terminimit?

Nuk bëhet fjalë për ndryshim të parimit nga AKEP. AKEP do t’i qëndrojë parimit që ka avancuar prej vitesh, që gjendja e preferuar për tarifat e terminimit është simetria e plotë. Kjo lidhet me nxitjen e konkurrencës në treg. Megjithatë, unë mendoj, mbështetur edhe në analizat e stafit të AKEP, se, edhe për shkak të situatës që kemi në treg, me largimin e “Plus“ (që deri në largim kishte një asimetri); edhe për shkak të faktit se mënyra si është zbatuar asimetria në të shkuarën ka qenë e disbalacuar dhe ka punuar me shpejtësi të ndryshme për operatorë të ndryshëm; por, lidhur edhe me pjesët e tregut që operatorët kanë tani, ne mendojmë se një asimetri e caktuar, për një kohë të kufizuar, mund të jetë një masë rregullatore proporcionale për tregun. Kjo është pikëpamja ime, mbështetur në analizat e mia dhe në dokumentet e përpunuar nga stafi i AKEP. Edhe tema për tarifat on net-off net është e diskutuar. Mënyra si është aplikuar mund të kishte qenë më e kujdesshme. Që mbi një operator të vendosen detyrime rregullatore, duhet që patjetër të jetë operator me fuqi të ndjeshme në treg. Sipas analizës, jo të gjithë operatorët janë gjetur me fuqi të ndjeshme në treg, ndërsa masa rregullatore ka shkuar për të gjithë operatorët. Kjo nuk është në përputhje me praktikat më të mira rregullatore. Edhe për këtë çështje, AKEP është e legjitimuar për të diskutuar dhe për të marrë atë vendim që e çmon më të drejtë. Asnjë vendim nuk duhet parë i izoluar. Masat rregullatore gjithmonë veprojnë si një tërësi faktorësh.

Pra, duke qenë se Albtelecom nuk është OFNT në tregun me pakicë, mund të përjashtohet nga detyrimi i mosdiskriminimit të tarifave on net-off net?

Është një argument që meriton konsideratë, siç mund të jetë edhe fakti që masa e mosdiferencimit nuk është masa e vetme që jep rezultatin e dëshiruar për të mos pasur diskriminim. Mendoj se ka masa më elegante, në nivel të tregjeve të shumicës që japin rezultate të dëshiruara edhe në shërbimet me pakicë, pa qenë i detyruar rregullatori të ndërhyjë direkt në tregjet e pakicës. Nëse do të ekzistojë një instrument efikas në nivel shumice, për të mos pasur sjellje strategjike, me diferencime on net-off net, atëherë nuk do të ishte e nevojshme të ndërhynim në tregun me pakicë. Masat në nivel shumice që përdoren nga rregullatorët e vendeve që kanë pasur probleme të tilla janë testet e çmimeve grabitqare dhe shtrydhjes së marzhit ex ante.

Megjithatë, është pothuajse e paprecedent që, për një operator të pranishëm në treg prej rreth 10 vjetësh, si Eagle Mobile, të lejohet ende një asimetri në tarifat e terminimit.

Mund të duket kështu, por ka shembuj që asimetria për një periudhë kohore aplikohet dhe kjo njihet edhe në dokumentet e BEREC, një instrument i Komisionit Europian. Por, nuk është vetëm kjo që mund të duket e pashembullt. E pashembullt mund të duket edhe që tarifat on net të operatorëve të caktuar kanë qenë jashtëzakonisht të ulëta. E pashembullt mund të jetë që një sasi e konsiderueshme e të ardhurave të operatorëve celularë gjenerohen nga trafiku hyrës ndërkombëtar. Kjo është e ardhur jo e qëndrueshme dhe e ekspozon industrinë ndaj rrezikut në një masë të pakrahasueshme me asnjë vend tjetër. Ndaj flas për një kompleks faktorësh dhe masash rregullatore, për të cilat duhet të vendosim në mënyrë të balancuar. AKEP është i vetmi organ i autorizuar nga ligji për një vendimmarrje të tillë. Sidoqoftë, kjo vendimmarrje mund të ankimohet nga çdo palë e interesuar në gjykatat e Republikës së Shqipërisë, çka edhe ka ndodhur në të shkuarën. Ne nuk kemi monopolin e dijes dhe të kriterit të së vërtetës. Gjithçka është e hapur për diskutime dhe këndvështrime të ndryshme, por, ne nuk mund të heqim dorë nga vendimmarrja për hir të këtyre diskutimeve apo pikëpamjeve divergjente. Këtë ia kemi borxh publikut. Ne nuk mund të lejojmë që operatorët të bëjnë pushime rregullatore, sepse nuk iu pëlqen një masë apo një tjetër; apo ndoshta edhe sepse ndonjë operatori mund t’i pëlqejë që të kthemi mbrapa dhe në treg të kemi vetëm një operator e gjithë të tjerët të dalin nga tregu. Nuk lejojmë që struktura e tregut të hidhet në erë dhe të përfundojmë në situata monopolistike.

Mes operatorëve celularë ka një luftë të vazhdueshme marketingu lidhur me parametrat e cilësisë së shërbimit, sidomos të lidhur me shpejtësinë e internetit broadband. A bën AKEP matje lidhur me treguesit cilësorë të rrjeteve celulare? Pse nuk publikohen?

AKEP kryen matje, edhe i publikon. Edhe i shërben autoriteteve të tjera që trajtojnë aspekte të caktuara të mbrojtjes konsumatore ose konkurrencës së tregjeve. Do të vazhdojmë ta bëjmë këtë. Matjet e kryera, për shembull, në zonat bregdetare gjatë verës, tregojnë se jo gjithmonë i njëjti operator ka cilësinë më të mirë të rrjetit. Në zona të ndryshme ka cilësi më të mirë nga operatorë të ndryshëm, nuk është gjithmonë i njëjti operator që ka rrjetin më të mirë.

Pse këto gjetje nuk publikohen në një seksion të veçantë, për të orientuar vendimmarrjen konsumatore?

Sapo e administrova si sugjerim të vlefshëm nga ana juaj.

Vendet e rajonit kanë hedhur disa hapa në vitet e mëparshme për uljen e tarifave roaming. Pse ka ngelur Shqipëria jashtë këtyre nismave? A do të përfshihemi në të ardhmen?

Heqja e roaming është si heqje e kufijve. Modelet e biznesit me kufij i takojnë mesjetës. Globalizimi është ndryshe. Tregjet duhet të hapen dhe konkurrenca të punojë në favor të njerëzve. Për mua, duhet të ulim sa më parë tarifat e roaming. Edhe në dokumentin strategjik e BE për rajonin tonë çështja e reduktimit dhe heqjes së tarifave të roaming është një nga nismat kryesore. Shqipëria është pjesë e procesit të Berlinit dhe do ta nënshkruajë këtë marrëveshje rajonale. Kjo mund të ngjallë deri diku pakënaqësi nga operatorët që realizojnë të ardhura, por, nëse kjo do të bëhet bashkërisht nga vendet e rajonit, edhe këto të ardhura deri diku do të netohen. Një pengesë për uljen e tarifave të roaming janë tarifat shumë të larta që operatorët tanë aplikojnë në trafikun hyrës ndërkombëtar, pasi çështjet janë të lidhura. Këtë do ta analizojmë në analizën përkatëse të tregut.

Mund të përcaktohen etapa dhe afate për uljen e tarifave të roaming?

Qeveria jonë synon që brenda muajit shtator 2018 të kemi reduktime të rëndësishme të tarifave të roaming me vendet e rajonit. AKEP e mbështet plotësisht këtë objektiv.

Si mund të përmirësohet tregu i shërbimeve postare dhe në veçanti roli i Postës Shqiptare në shërbimet bashkëkohore, si tregtia elektronike?

Ka një ligj për shërbimin postar që parasheh të njëjtin mekanizëm me trejte e komunikimeve elektronike. Të nxitet sa më shumë konkurrenca dhe investimet në fushën e shërbimeve postare. Edhe kjo është në fokusin e përditshëm të punës së AKEP. Gëzohemi që tashmë nuk ekzistojnë më zona të rezervuara dhe të gjithë operatorët mund t’i ofrojnë shërbimet në mënyrë konkurenciale. Cilësia e shërbimit është një aspekt ku ne këmbëngulim. Nuk më takon që të bëj promocion për asnjë operator postar, por jam i lumtur me përmirësimin e cilësisë së shërbimit nga të gjithë këta operatorë. Sistemi i adresave është përmirësuar ndjeshëm kohët e fundit dhe kjo iu jep më shumë lehtësi operatorëve të shërbimeve postare. Pikat e shërbimit postar po shtohen. Edhe nga përdoruesit e shërbimeve ndihet një cilësi e përmirësuar. Tregtia elektronike është në zgjerim dhe porositë përgjithësisht dorëzohen me përpikëri dhe në afatet e caktuara. Edhe në këtë drejtim po lëvizim për të pasur më shumë modernizim dhe për të mos pasur prapambetje. Megjithatë, ka nevojë për investime edhe këtu. Kryefjala është nevoja e madhe për investime dhe modernizim shërbimesh.

Bisedoi: Ersuin Shehu/ SCAN Magazine