Edhe Shqipëria i bashkohet presionit të aleatëve për Specialen

E publikuar: 30/12/2017 12:15
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Pas presionit të SHBA’së dhe Britanisë, edhe Shteti i Shqipërisë ka nisur presionet ndaj Kosovës për të mos e zhbërë Gjykatën Speciale. Ministri për Diasporën, Pandeli Majko ka thënë se kushdo që mendon se SHBA dhe BE pajtohen me pezullimin e Speciales gabohet.
Ish-Kryeministri i Shqipërisë, Pandeli Majko, aktualisht Ministër i Diasporës, ka dalë në anën e aleatëve të shqiptarëve, të cilët po i kërkojnë Kosovës të mos e zhbëjë Gjykatën Speciale.

Në këtë formë, edhe Shqipëria u është bashkuar presionit ndërkombëtar, sidomos atij amerikan e britanik, për të mos lejuar shfuqizimin e Gjykatës që do të merret me zbardhjen e krimeve të luftës e pasluftës në Kosovë.

“Kush mendon se SHBA, Britania e Madhe dhe Bashkimi Europian do ta përtypin në heshtje një vendim “sovran” për pezullimin e Gjykatës Speciale, gabohet”, ka shkruar Pandeli Majko,.

Ai thotë se shteti i Kosovës nuk është një çështje personale. Sipas tij, e drejta shtetërore nuk diskuton asnjë fat personal.

Ai thotë se vendosja e interesit shtetëror mbi fatet e personave, dallon burrat e shtetit nga njerëzit e vegjël.

“Të gjithë partnerët e Kosovës po bëjnë thirrje sot që të mos vazhdohet në këtë drejtim absurd. Ai do të vendosë shtetin e Kosovës nën akuzë. Dhe ajo, nuk do ti ngjajë deklarimeve të përgjithshme që harrohen nesër”, ka shkruar më tej Majko në reagim.

Më së shumti reagime kundër shfuqizimit të Speciales kanë ardhur nga SHBA e Britania e Madhe. Madje, të premten mbrëma reagoi edhe Departamenti Amerikan i Shtetit, duke kërkuar të mos preket Specialja.

Ambasadori britanik në Kosovë kishte thënë se ideja për zhbërjen e Speciales e rrezikon Shtetin e Kosovës.

Sidoqoftë, tre iniciuesit e shfuqizimit të Speciales, Hashim Thaçi, Kadri Veseli e Ramush Haradinaj nuk kanë dalë kundër kësaj ideje. Madje, e kanë lënë të hapur mundësinë që ky proces të ecë tutje pas pushimeve dimërore.

Hashim Thaçi, Kadri Veseli e Ramush Haradinajn kanë thënë se nëse deputetët shfuqizojnë Specialen atëherë do të respektojnë të njëjtin vendim.

Ndërkohë, LDK ka kundërshtuar një veprim të tillë duke thënë se po rrezikohet Kosova t’i rifuqizohet Rezoluta 1244, e cila parasheh kompetenca shtesë për ndërkombëtarët në Kosovë.

Sidoqoftë, një nismë e deputetëve të PDK’së, AAK’së e NISMA’së ka dështuar për të shfuqizuar Gjykatën që do të merret me zbardhjen e krimeve që kanë ndodhur gjatë viteve 1998-2000. Kjo gjykatë do të merret me zbardhjen e pretendimeve të senatorit Zviceran, Dick Marty, i cili i implikonte udhëheqësit e UÇK’së në krime kundër njerëzimit, krim të organizuar e krime politike.