Anulohet konferenca për shtyp BE-Kosovë pas takimit të Këshillit të MSA-së

E publikuar: 17/11/2017 12:24
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Në momentin e fundit, pa paralajmërim, është anuluar konferenca për shtyp në selinë e BE-së në Bruksel, në të cilën përfaqësuesja e lartë e BE-së, Federica Mogherini dhe kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, është dashur të njohin opinionin për rrjedhën e takimit të Këshillit të MSA-së mes BE-së dhe Kosovës, bën të ditur korrespondenti i “Kohës Ditore” në Bruksel, Augustin Palokaj.

Edhe pse gjithçka ishte gati për këtë konferencë shtypi, përkthyesit në disa gjuhë ishin në kabinat e tyre, ndërsa shërbimi satelitor ishte gati të transmetojë në kohë reale konferencën, e cila duhej të transmetohej edhe nga televizionet në Kosovë, kjo u anulua me arsyetimin e dhënë nga zëdhënësja Maja Kocinaçiç “për shkak të agjendës”. Si zakonisht në raste të tilla edhe mbajtja e kësaj konference shtypi ka qenë pjesë e agjendës e paralajmëruar para shumë kohësh.

Por mbetet përshtypja se kjo gjë po ndodhë vetëm në rastin e Kosovës. Dje pa problem është zhvilluar konferenca e shtypit mes BE-së dhe Serbisë e pardje mes BE-së dhe Shqipërisë pas takimeve të Këshillit të Stabilizim Asociimit me këto dy shtete.

Takimet e këtij Këshilli në këtë nivel zhvillohen vetëm njëherë në vit dhe ato janë rast i rrallë që të bëhen pyetje rreth Kosovës edhe zyrtarëve më të lartë të BE-së. Ata shumë rrallë dalin para gazetarëve me politikanë të Kosovës, ndërsa nuk hezitojnë kur është fjala për politikanë nga vendet e tjera të rajonit.

Në pamundësi që të bëjnë pyetje rreth temave të diskutuara, si dhe rreth atyre që u interesojnë qytetarëve të Kosovës, siç janë bllokimi i liberalizimit të vizave, skandalet e reja të Misionit të EULEX-it, gazetarët është dashur të kënaqen me një komunikatë të përbashkët, të lëshuar nga Takimi i dytë i Këshillit të Stabilizim Asociimit, në të cilën në mënyrë të përgjithshme dhe sipërfaqësore përmenden temat për të cilat është diskutuar edhe emrat e pjesëmarrësve.

Në komunikatën në fjalë thuhet se Këshilli i MSA-së ka rikujtuar se MSA-ja është themel i raporteve mes BE-së dhe Kosovës. Më tej thuhet se kjo marrëveshje ofron një kornizë kontraktuale brenda së cilës Kosova dhe BE-ja do ta intensifikojnë bashkëpunimin.

Thuhet se është diskutuar për prioritetet e MSA-së në fushën e rendit dhe ligjit, reformave të gjyqësorit, respektimin e të drejtave themelore, reformat e administratës publike, zhvillimet ekonomike, shkollimin dhe punësimin.

Në të njëjtën komunikatë thuhet se është diskutuar edhe për vazhdimin e dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit dhe për implementimin e të gjitha marrëveshjeve të arritura pa vonesa.

Në këtë komunikatë nuk përmendet fare procesi i liberalizimit të vizave.