Kandidati Labinot Konushevci, ka lëshuar akuza në drejtim të tre profesorëve: Shemsi Krasniqi, Anton Berishaj e Agim Hysenin se në mënyrë të jashtëligjshme e kanë eliminuar nga gara për të qenë Asistent i angazhuar në Departamentin e Sociologjisë. Ka thënë se tre profesorët – njëri prej tyre akademik – kanë favorizuar një kandidate e cila s’ka të kryer studimet master në fushën e Sociologjisë. Kryetari i Komisionit Anton Berishaj ka pranuar se shkollimi i asistentes së propozuar është i përafërt me Sociologjinë. Por, ka shtuar se ajo është propozuar duke u bazuar në përparësinë për shkak të gjinisë.
Dy profesorët në Departamentin e Sociologjisë, Agim Hyseni e Shemsi Krasniqi, nuk e kanë thënë asnjë fjalë pse e kanë eliminuar nga gara për asistent të angazhuar, Labinot Konushevcin dhe kanë nënshkruar referatin pozitiv për A. M.
“Nuk foli për këtë rast”, ka thënë Shemsi Krasniqi, të shtunën, kur është pyetur për akuzat e Konushevcit për shkelje të kritereve të konkursit kur e kanë eliminuar nga gara për asistent të angazhuar.
“Drejtohuni Shefit të Departamentit të Sociologjisë”, ka qenë përgjigja e profesorit tjetër, Agim Hyseni, për akuzat e Konushevcit se e kanë pranuar për asistente një kandidate që s’e ka kryer Sociologjinë.
I vetmi që ka pranuar të flasë për akuzat e Konushevcit është Kryetari i Komisionit, Anton Berishaj. Ka thënë se refuzimi i Konushevcit dhe pranimi i kandidates tjetër është bërë mbi rregullat e konkursit.
Megjithëkëtë edhe Berishaj e ka pranuar se kandidatja e pranuar nuk e ka të përfunduar Sociologjinë. Ka thënë se shkollimi i asistentes së propozuar është i përafërt me Sociologjinë.
“Ne e kemi shqyrtuar dokumentacionin dhe kemi konsideruar se programet e masterit që kandidati i ka kryer kanë qenë shumë kompatibile, shumë të përafërta me ato që ne i kemi kërkuar , kemi konsideruar se ajo ka përparësi”, ka thënë Berishaj, për Express.
“Çështja e notës mesatare, secili kandidat që i ka mbi tetë notën mesatare i plotëson kushtet me hy në garë. Unë më shumë dhe më mirë e kam njoftë kandidatin Kounshevci se këtë kandidaten , plus ajo ka edhe përvojë pune në organizata të cilat janë të lidhura drejtpërsëdrejti në programet të cilat ajo i asiston”, ka shtuar ai.
Sidoqoftë, Berishaj ka thënë se pranimi i A.M është bërë edhe mbi parimin e përparësisë pasi është e gjinisë femërore.
“Sipas një neni, në kushte relativisht të barabarta duhet dhënë përparësi gjinisë së caktuar dhe kemi vendos ashtu. Nuk mendoj që kemi bë shkelje, ai i ka të drejtat e veta për ankesa, unë kam mendim të mirë për Labinot Konushevcin por në rrethanat që kemi punuar dhe programet që i kemi kërkuar kemi përfunduar se kjo është shumë më e përafërt në programet që i kemi kërkuar”, ka shtuar ai.
Ndërkohë, Labinot Konushevci, në ankesën drejtuar Fakultetit Filozofik dhe Rektorit, Marjan Dema, ka dhënë versionin e tij pse u eliminua. Ka thënë se kandidatja e pranuar si asistente nuk e ka shkollimin adekuat për Sociologji. Ka thënë se e njëjta ka të kryer studimet master në Departamentin e Politikave dhe Punës Sociale në programin “Përkatësi gjinore dhe zhvillim”, në Tiranë.
“Ajo ka mbaruar vetëm studimet themelore në Bachelor të Sociologjisë, ndërsa i mungon kualifikimi në fushën dhe drejtimin përkatës të sociologjisë për nivelin Master! Ajo ka aplikuar edhe në Departamentin e Punës Sociale të Fakultetit Filozofik, në pozitat nr. 28, 29 dhe 30, por në asnjërën nuk është pranuar. Si ka mundësi personi i kualifikuar në drejtimin e Punës Sociale, të mos pranohet në Departamentin e Punës Sociale, por të pranohet në Departamentin e Sociologjisë?! Profesorët e sociologjisë, në lëndët e sociologjisë, kanë favorizuar një josociologe!”, ka shkruar Konushevci, në ankesë.
Ankesa e plotë e Labinot Konushevcit drejtuar Universitetit të Prishtinës
Komisioni Vlerësues i Sociologjisë shkelë kriteret për angazhimin e bashkëpunëtorëve të jashtëm për ushtrime
Labinot Kunushevci
Përmes këtij reagimi publik dua të ju njoftoj lidhur me vendimin e Mbledhjes së Këshillit të Fakultetit Filozofik të Universitetit të Prishtinës, të mbajtur më 18.10.2017, për angazhimin e bashkëpunëtorëve të jashtëm me honorar, i cili për Departamentin e Sociologjisë ka mbështetur Raportin e Komisionit Recenzues që përbëhej nga Prof. Dr. Anton Berishaj, kryetar; Prof. Dr. Agim Hyseni, anëtar dhe Prof. Ass. Dr. Shemsi Krasniqi, anëtar, për të cilin konsideroj se është bërë diskriminim ndaj meje, ndaj performancave më të mira dhe më adekuate, për pozitën nr.34 në të cilën kam kandiduar.
Në konkursin e shpallur të Universitetit të Prishtinës më 19.09.2017, me numër 2/604, për angazhimin e bashkëpunëtorëve të jashtëm me honorar, në Fakultetin Filozofik kanë qenë të lira 37 pozita (shih: http://uni-pr.edu/desk/inc/media/957F2B3C-8413-4BB7-ABB0-66FFABE81AC1.pdf).
Unë Labinot Kunushevci, Master i Sociologjisë, kam kandiduar për dy pozita, nr.33 dhe nr.34, por mospajtimi im lidhet me pozitën nr.34, bashkëpunëtor i jashtëm për ushtrime, që përfshin lëndët: Sociologji e zhvillimit, Identiteti dhe vlerat sociale, Familja, shkolla dhe socializimi, Migrimet dhe diaspora dhe Sociologji e migrimeve, ku konsideroj se nuk janë respektuar përparësitë dhe kriteret sipas rregullores për vlerësim. Ato janë: 1.Drejtimi adekuat dhe përkatës i studimeve Master; 2.Botimet shkencore; 3.Nota mesatare.
Në Rregulloren për Procedurat Vlerësuese për Angazhimin e Bashkëpunëtorëve të Jashtëm në Universitetin e Prishtinës ”Hasan Prishtina” me numër 2/475, të datës 08.09.2017 (shih: http://www.uni-pr.edu/desk/inc/media/A998AFB0-81D1-4977-99A1-F7A2E5DDB100.pdf), Neni 6, Pika 12, precizohet: ”Komisioni vlerësues ka për obligim që në raportin vlerësues t’i paraqes të gjitha faktet relevante (në mënyrë tabelare) për të gjithë kandidatët e paraqitur në konkurs për lëndën përkatëse.”
Mostransparenca e Komisionit Vlerësues
Këshilli i Fakultetit Filozofik ka mbështetur Raportin Vlerësues të Komisionit Vlerësues (shih: https://onedrive.live.com/view.aspx?resid=A3655DE0A5E29C7F%21585&ithint=file%2Cxlsx&app=Excel&authkey=%21AGBvUwLg267Ffas), më 18.10.2017, për zgjedhjen e kandidates Arbëresha Maloku për pozitën nr.34, me arsyetimin si vijon: ”Komisioni ka konstatuar se kandidatja e përzgjedhur ka një profil më adekuat të studimeve master për lëndët e kërkuara. Kandidatja i plotëson kriteret e kërkuara me rregulloren për angazhim me honorar. Nota mesatare BA 8.57, MA 8.42 si dhe plotëson kriterin lidhur me moshën.”
Mostransparenca dhe mospërfillja nga ana e Komisionit Vlerësues vërehet në raportin vlerësues të publikuar në të cilin nuk është paraqitur asnjë arsyetim lidhur me kandidatët e refuzuar, përveç emrave të paraqitur si të refuzuar.
Gjithashtu nuk janë dhënë informacione të mjaftueshme në lidhje me drejtimin e studimeve, llojet e punimeve apo përvojave shkencore profesionale, vendin e botimeve, llojet e dokumenteve me të cilat kanë aplikuar dhe moshën e kandidatëve të pranuar. Këto janë të domosdoshme të jipen si informacione publike sepse do ta bënin më transparent vendimin e marrë për përzgjedhjen e tyre dhe do t’u ndihmonte kandidatëve të refuzuar në artikulimin dhe argumentimin e ankesave të cilat janë e drejtë sipas konkursit që çdo kandidat i refuzuar ta paraqetë në fakultet ankesën brenda tetë ditëve pas marrjes së vendimit të Këshillit të Fakultetit.
Kjo gjithashtu bie ndesh me dy Aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese, të vitit 2017, KI 34/17 dhe KI 55/17, në arsyetimin e së cilave, çdo institucion obligohet për çdo kandidat të refuzuar për punësim të shpjegojë publikisht pse nuk i ka plotësuar kushtet apo kriteret.
Në këtë rast konsideroj se ka pasur mungesë të transparencës, e cila nuk ka munguar në disa Njësi tjera Akademike të UP-së. Për shembull, unë kam hulumtuar tek Raportet e Fakultetit Filologjik për pranimin e bashkëpunëtorëve të jashtëm dhe kam gjetur arsyetime për çdo kandidat të refuzuar. Ashtu si dhe shpjegime më të hollësishme për kandidatët e propozuar (shih: http://filologjia.uni-pr.edu/Lajmet/Njoftim-lidhur-me-angazhimin-e-bashkepunetoreve-te.aspx). Sipas këtij fakti, Njësitë Akademike nuk veprojnë njësoj kur i publikojnë raportet.
Megjithatë në ato pak informacione të dhëna publikisht dhe aq sa unë kam mësuar nga hulumtimi, po i paraqes dhe shpjegoj publikisht përparësitë e mia të cilat nuk janë respektuar.
1. Arbëresha Maloku ka mbaruar studimet Master në Universitetin e Tiranës, në Fakultetin e Shkencave Sociale, në Departamentin e Politikave dhe Punës Sociale, në programin ”Përkatësi gjinore dhe zhvillim” dhe ka titullin MSc. Ajo ka mbaruar vetëm studimet themelore në Bachelor të Sociologjisë, ndërsa i mungon kualifikimi në fushën dhe drejtimin përkatës të sociologjisë për nivelin Master! Ajo ka aplikuar edhe në Departamentin e Punës Sociale të Fakultetit Filozofik, në pozitat nr. 28, 29 dhe 30, por në asnjërën nuk është pranuar. Si ka mundësi personi i kualifikuar në drejtimin e Punës Sociale, të mos pranohet në Departamentin e Punës Sociale, por të pranohet në Departamentin e Sociologjisë?! Profesorët e sociologjisë, në lëndët e sociologjisë, kanë favorizuar një josociologe! Ndërsa unë Labinot Kunushevci kam fituar titullin Master i Sociologjisë (MA) në Departamentin e Sociologjisë të Fakultetit Filozofik të Universitetit të Prishtinës më 21.07.2017, me temën ”Koherenca dhe divergjenca në mendimin sociologjik: Analizë krahasuese e pikëpamjeve të sociologëve mbi problemet e botës bashkëkohore.” Komisioni i Ankesave në përgjigjen private me shkrim më datën 02.11.2017, i cili poashtu ka pasur në përbërje profesorë të fushave jashtë sociologjisë, këtë fakt dhe pretendim timin e ka hedhur poshtë dhe e ka konsideruar si të pabazë me arsyetimin se programi i studimeve master i kandidates në fjalë është kompatibil me programin e lëndëve ku është angazhuar. Pse programi i studimeve master në sociologji nuk është më kompatibil?
Nuk mund të mohohet që programi i studimeve të mia në master të sociologjisë nuk është adekuat dhe kompatibil me lëndët e pozitës nr.34, përderisa të njëjtat lëndë i kam studiuar brenda Departamentit ku kam aplikuar dhe e njoh më mirë programin, syllabusin, literaturën, konceptet dhe dinamikën e zhvillimit të tyre.
Në Rregulloren në fuqi së cilës Komisioni i Ankesave është referuar, Neni 7, Pika 3.1, njëra nga kushtet e angazhimit është përcaktuar kështu: ”Të ketë të përfunduar studimet master ose ekuivalent me të në lëmin përkatëse.” Bazuar në kualifikimin tim dhe shpjegimin që dhashë për të, konsideroj se kam përparësi para kandidates në fjalë. Këtë argument e plotëson shpjegimi për punën dhe rezultatin tim shkencor si vijon, të cilin e konsideroj si përparësi timen shtesë.
2. Arbëresha Malokut në Raportin Vlerësues që ka miratuar Këshilli i Fakultetit Filozofik nuk i përmendet fakti që ka botime shkencore! Unë Labinot Kunushevci, në aplikacionin e dërguar i kam bashkangjitur pesë intervista shkencore, të botuara në revista vendore dhe ndërkombëtare. Janë pesë intervista, dy prej të cilave të botuara në gjuhën shqipe në dy revista shqiptare, ”Studime Sociale” dhe ”Vizione”, dhe tri intervista tjera speciale, dy prej të cilave me sociologët e njohur të botës, George Ritzer dhe Patricia Hill Collins nga Universiteti i Marilandit, të botuara në 17 gjuhë në revistën prestigjioze ”Global Dialogue” të Shoqatës Ndërkombëtare të Sociologjisë – ISA, në të cilat janë trajtuar aspekte, koncepte dhe tema që përkojnë me kontekstin, syllabuset dhe profilin e lëndëve që kërkohen në pozitën nr.34.
Gjuhët në të cilat nga gjuha shqipe janë përkthyer tri intervista të mia shkencore e që në secilën prej tyre janë dorzuar të shtypura në aplikacion, janë:
1. Anglisht 2. Frëngjisht 3. Spanjollisht 4. Kinezisht (tradicionale) 5. Kinezisht (e thjeshtuar) 6. Farsi 7. Hindi 8. Portugalisht 9. Arabisht 10. Japonisht 11. Rusisht 12. Polonisht 13. Turqisht 14. Rumanisht 15. Kazak 16. Indonesisht 17. Bengali
Në linket të cilat gjenden në biografinë time të bashkangjitur në aplikacionin me dokumente në Fakultetin Filozofik, mund të gjenden plot intervista që kam realizuar me sociologë shqiptarë dhe me elitën e sociologjisë botërore, përmes së cilave kam projektuar kryqëzimin e sociologjisë ndërkombëtare dhe nacionale, duke e kontekstualizuar Kosovën në dritën dhe fluksin e perspektivave globale të sociologjisë, projekt ky i vlerësuar në nivelet më të larta të sociologjisë botërore, nga drejtues të shoqatave ndërkombëtare të sociologjisë.
Sa herë që një intervistë e imja botohej në 17 gjuhë, mediet kosovare raportonin lajmin me titull ”Intervista e studentit të UP-së përkthehet në 17 gjuhë të botës”, duke e paraqitur këtë si sukses jo vetëm individual, por edhe në kontekstin e imazhit pozitiv për Departamentin e Sociologjisë dhe Universitetin e Prishtinës, ndaj të cilit profesorët e sociologjisë të Komisionit Vlerësues u treguan mosmirënjohës në garën për bashkëpunëtor të tyre, ndonëse gjatë studimeve e lavdëronin publikisht.
Veçoj disa prej intervistave dhe botimeve shkencore që kam realizuar në dy vitet e fundit:
1. Intervistë me George Ritzer: ”George Ritzer on McDonaldization and Prosumption”, botuar në revistën ”Global Dialogue” të Shoqatës Ndërkombëtare të Sociologjisë, në 17 gjuhë të ndryshme, fq. 34-35, Vëll. 6/4: http://isa-global-dialogue.net/volume-6-issue-4-december-2016/.
2. Intervistë me Patricia Hill Collins: ”The Representation of African-American Women”, botuar në revistën ”Global Dialogue” të Shoqatës Ndërkombëtare të Sociologjisë, në 17 gjuhë të ndryshme, fq. 15-16, Vëll. 7/1: http://isa-global-dialogue.net/volume-7-issue-1-march-2017/.
3. Intervistë me Ibrahim Berishën: ”The Legacy of Colonialism in Kosova”, botuar në revistën ”Global Dialogue” të Shoqatës Ndërkombëtare të Sociologjisë, në 17 gjuhë të ndryshme, fq. 19-21, Vëll. 7/3: http://isa-global-dialogue.net/volume-7-issue-3/.
4. Intervistë me Michael Kennedy: ”Communication as Perspective”, botuar në ”Policy Trajectories”, Shoqata Amerikane e Sociologjisë: http://policytrajectories.asa-comparative-historical.org/2016/12/communication-as-perspective-an-interview-with-michael-kennedy/.
5. Intervistë me Lekë Sokolin: ”Kërkimi shkencor t’u paraprijë reformave. Suksesi i shtetit dhe shoqërisë varet nga investimi në shkencë”, botuar në revistën ”Vizione”, Nr. 26/2016.
6. Intervistë me Anthony Giddens: ”Globalizmi, ndërvarësia e shoqërive si tipar kyç i modernizmit”, botuar në revistën ”Studime Sociale”, Instituti Shqiptar i Sociologjisë (AIS), Vëll. 10, Nr. 2, 2016.
7. Intervistë me Margaret Abraham: ”M. Abraham, in conversation with Labinot Kunushevci”, Presidente e Shoqatës Ndërkombëtare të Sociologjisë – ISA, botuar në revistën ”Explorations” të Shoqërisë Sociologjike Indiane, Vëll. 1 (2), Tetor, 2017.
Ndërsa për punën time me intervista kam marrë vlerësime nga sociologët e huaj Anthony Giddens, George Ritzer, Michael Kennedy, nga redaktori i revistës ”Global Dialogue”, Michael Burawoy; nga Presidentja e Shoqatës Ndërkombëtare të Sociologjisë, Margaret Abraham; nga Presidentja e Shoqatës Britaneze të Sociologjisë, Lynn Jamieson; nga Kryetari i Rrjetit të Sociologëve të Rinj të ISA-së, Oleg Komlik, vlerësime këto të bashkangjitura shqip dhe anglisht në dosjen me dokumente dhe të dorzuara në fakultet, të cilat shfrytëzoj rastin që për herë të parë t’i bëj publike këtu.
Në vijim po i paraqes të përkthyera në shqip vlerësimet ndërkombëtare që i kam marrë në gjuhën angleze, pas familjarizimit me projektin tim dhe leximit që këta ia kanë bërë intervistave të mia në formën e librit, i cili shumë shpejt do të botohet.
Unë kam intervistuar për dy vite punë katërmbëdhjetë sociologë të huaj. Ata janë: Anthony Giddens, George Ritzer, Patricia Hill Collins, Michael D. Kennedy, Liah Greenfeld, Hayriye Erbaş, Jasminka Lažnjak, Dorothy E. Smith, Raewyn Connell, Chua Beng Huat, Barry Wellman, John Holloway, Margaret Abraham dhe Thomas J. Burns.
Pikëpamjet, idetë dhe vizionet kryesore të tyre që ata shprehin për herë të parë për Kosovën, shumicën e të cilëve i kam intervistuar nga Kosova dhe një pjesë tjetër gjatë një qëndrimi tre mujor në vitin 2016 në Gjermani, kanë qenë tema ime e diplomës për nivelin Master, ku është analizuar koherenca dhe divergjenca e tyre, jo vetëm në kontekstin global, por edhe në atë nacional e lokal, ku të gjithë sociologët e intervistuar japin shpjegime dhe ide favorizuese për integrimin e Kosovës në Bashkimin Evropian dhe në institucionet tjera ndërkombëtare, sidomos në tregun global të dijes dhe të punës, temë kjo e cila ishte kryesore në bashkëbisedimet me ta.
Për rëndësinë dhe koherencën e tyre, mënyrën se si i kam realizuar, artikuluar e konvergjuar dhe për vlerën që ato kanë në mendimin bashkëkohor sociologjik, sidomos në Kosovë, kanë shkruar:
Lord Anthony Giddens, Shkolla Ekonomike e Londrës – LSE:
“Ky libër ofron një analizë të përgjithshme dhe tërësisht aktuale të çështjeve bazike të sociologjisë së sotme. Një varg i tipareve kryesuese intelektuale dhe rrymave të mendimit janë prezantuar në këtë libër. Fakti që e merr formën e intervistave e bënë posaçërisht të kapshme dhe të lehtë për ta kuptuar. Për të mirë a për të keq, bota jonë është shumë më e ndërvarur se në çdo periudhë të historisë. Studentët në Kosovë nuk do të kenë problem që të përvetësojnë shumë nga çfarë është diskutuar këtu, me përvojën e tyre vendore dhe atë personale.” (24.03.2017)
Michael Burawoy, Universiteti i Kalifornisë, Redaktor i Revistës “Global Dialogue”:
“Çfarë përmbledhje e mrekullueshme e intervistave, çfarë iniciative e jashtëzakonshme nga një student MA nga Prishtina, çfarë mënyrë interesante të projektosh kryqëzimin e sociologjisë ndërkombëtare dhe nacionale përmes intervistimit të sociologëve eminentë.” (25.03.2017)
Michael Kennedy, Universiteti Brown:
“Pyetjet e mira të Labinot Kunushevcit në mesin e këtij vargu të madh të sociologëve me përgjigjet e tyre ofron diçka të veçantë. Është kritikë për ata që duan të njohin nga konturat e disiplinave tona. Për më tepër, ky vëllim tërheq një moment të historisë sociologjike botërore e cila hap rrugën për riformulimin e vetë imagjinatës sociologjike.” (26.03.2017)
George Ritzer, Universiteti i Marilandit:
“Intervistat joformale si këto në këtë libër janë të dobishme ngaqë sjellin venerime të cilat janë më të pambrojtura dhe më të qarta në krahasim me publikimet e të intervistuarëve. Lexuesi mund të kuptojë më mirë sensin e ideve të këtyre autorëve. Në veçanti është i dobishëm për studentët e diplomuar të cilët janë të informuar me punën reale të shkencëtarëve, në kontrast me verzionet e romantizuara që dikush i has në publikimet formale në tekstet mësimore.” (27.03.2017)
Margaret Abraham, Presidente e Shoqatës Ndërkombëtare të Sociologjisë – ISA:
“Labinoti, një MA student nga Kosova, ka koreografuar një libër me peshë, duke përdorur formatin sfidues të intervistimit me sociologë të mirënjohur për të hedhur dritë në disa nga problemet e kohës sonë. Diversiteti i temave dhe ngjarjeve që diskutohen përbën kryqëzimin e lokales dhe globales në kuptimin e botës tonë komplekse. Kjo përmbledhje e këndshme e intervistave do të jetë në interes të studentëve dhe atyre që kërkojnë njohuri mbi procesin e ideve dhe mendimeve të sociologëve, të shprehura në mënyrë të thjeshtë, drejtëpërdrejtë dhe në mënyrë bashkëbiseduese.” (30.03.2017)
Lynn Jamieson, Presidente e Shoqatës Britaneze të Sociologjisë – BSA:
“Kjo iniciativë e shkëlqyeshme sjellë një sërë intervistash magjepëse, duke paraqitur një lexim që nuk duhet humbur për të gjithë ata që kanë interes në sociologji.” (24.04.2017)
Oleg Komlik, Kryetar i Rrjetit të Sociologëve të Rinj të ISA-së:
“Ky libër materializon një përpjekje të mirëfilltë intelektuale, të inicuar dhe përfunduar nga Labinot Kunushevci, në krijimin e një koleksioni të bisedave informative dhe edukative ndërmjet shkencëtarëve social të dëshmuar kryesisht nga Globli Verior dhe një sociologu të ri kurreshtar që jeton dhe studion në një vend post-komunist dhe post-kolonial. Duke mbuluar një hapsirë të gjerë temash interesante relevante për kohën tonë të trazuar, ky projekt shërben si një shembull inspirues se si gjeneratat dhe botët shkencore mund të ngrehin ura në një mision reciprok, të përbashkët dhe krucial në krijimin dhe përhapjen e diturisë.” (02.05.2017)
Këto vlerësime ndërkombëtare nga këto qarqe dhe autoritete të larta të sociologjisë botërore, të cilat janë referencë e profesorëve të sociologjisë në programet, syllabuset dhe lëndët e tyre, ishin joadekuate sipas Komisionit Vlerësues! Kishte diçka tjetër më adekuate?! Sikur janë tjera standarde dhe kritere që ata vlerësojnë?!
Sidoqoftë, bazuar në punën time shkencore hulumtuese, botimet në revista të ndryshme, vlerësimet ndërkombëtare dhe suksesin e treguar në studime, konsideroj se kam përparësinë profesionale e cila nuk është respektuar.
3. Arbëresha Maloku ka notat mesatare BA 8.57 dhe MA 8.42. Ndërsa unë jam në avantazh edhe në kriterin e notës mesatare: Në nivelin BA kam notën mesatare 9.0 dhe në nivelin MA kam notën mesatare 9.19. Ndonëse sipas Nenit 7, Pika 3.2, është kusht që kandidatët të kenë notën mesatare jo më të vogël se 8 në të dy nivelet e studimit, nuk është respektuar avantazhi dhe përparësia ime. Ndërsa kriteri statutar i moshës që është cekur në Raportin e Vlerësimit se e plotëson kandidatja në fjalë, është kriter që e plotësoj edhe unë sepse që të ty jemi nën moshën 30 vjeçare.
Përparësitë sipas Rregullores në fuqi, në të cilat referohet Komisioni i Ankesave, raporti i të cilit është miratuar në Mbledhjen e Këshilli i Fakultetit Filozofik më 30.10.2017, Neni 7, Pika 4, precizohen si vijon: ”Në rastin kur më shumë se një kandidat për pozitën përkatëse i plotëson kriteret e pikës 2 përkatësisht 3 të këtij neni, përzgjedhja do të bëhet sipas këtij prioriteti: kandidati me përvojë më të gjatë në fushën përkatëse, kandidati i gjinisë femërore, në rastet tjera mbetet në diskrecionin e Komisionit Vlerësues dhënia e përparësisë kandidatit të caktuar.”
Sipas Pikës 4 dhe gjithë pikave dhe paragrafeve të nenit 7, të Rregullores për Procedurat Vlerësuese për Angazhimin e Bashkëpunëtorëve të Jashtëm, pretendimin e Komisionit të Ankesave e konsideroj të pabazë sepse në të gjitha kushtet dhe pikat e Nenit 7 konsideroj se kam përparësi para personit që është pranuar, sipas shpjegimeve që dhashë. Përparësia e kandidatit me përvojë më të gjatë në fushën përkatëse dhe përparësia e gjinisë femërore, vlejnë vetëm kur në kushtet tjera jemi të barabartë. Arsyet e lartëcekura tregojnë që në asnjë kriter nuk jemi të barabartë.
Derisa të merret një vendim konform ligjit dhe kriterit që respekton përparësitë dhe performancat më të mira, të cilat unë i bëra publike, do ta ndjeki të drejtën time në të gjitha instancat ligjore dhe publike. Unë shpresoj shumë që ankesën time me këto fakte do ta shqyrtojnë inspektoriatet e institucioneve relevante dhe instancat tjera në të cilat do ta adresoj në vijimësi.
Ju faleminderit për mirëkuptimin dhe vëmendjen tuaj!