Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Bajram Hasani, mori pjesë në konferencën e organizuar nga Zyra e Bankës Botërore (BB) në Kosovë, me temë: “Vendet e punës dhe pengesat për krijim të punësimit në Kosovë”.
Në fjalimin e tij, ministri Bajram Hasani bëri të ditur se është duke i kushtuar vëmendje të veçantë aktiviteteve që ndërlidhen me përmirësimin e vazhdueshëm të klimës së biznesit dhe heqjen e pengesave për bizneset, përkrahjen e zhvillimit të sektorit privat, krijimin e vendeve te punës dhe rritjen e konkurrueshmërisë. “E tëra kjo po bëhet për të përkrahur sektorin privat në mënyrë që prodhimi dhe shërbimet e tyre të orientohen në vlerën e shtuar, të ulet deficiti tregtar, të rriten të hyrat në ekonomi dhe të mundësohet rritje e qëndrueshme ekonomike” deklaroi Hasani.
Ai më tej tha se Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, me përkrahje të donatorëve, ka bërë përpjekje të konsiderueshme për të identifikuar, analizuar dhe prioritizuar investimet në sektorët që kanë potencial të rritjes edhe për eksport edhe për krijimin e vendeve të punës, veçanërisht në sektorin e agrobiznesit (përpunimin dhe paketimin e ushqimit), teknologjisë së informacionit dhe komunikimit (kontraktimi i proceseve të punës), përpunimin e metaleve, tekstilit dhe lëkurës, përpunimit të drurit dhe turizmit.
Po ashtu, ministri Hasani përmendi edhe sfidat me të cilat ende janë preokupim për ndërmarrësit duke i përfshirë: procedurat doganore, mundësitë e kufizuara për të vendosur lidhje me rrjetet e biznesit ndërkombëtar, marrëdhëniet politike me vendet eksportuese, mungesa e financimit dhe kredive për eksporte, kostoja e lartë e garancive bankare dhe standardeve ndërkombëtare të cilësisë.
Ministri Hasani shtoi se programet arsimore nuk janë përshtatur tërësisht sipas trendëve të fundit të industrisë dhe tregut. “Gjashtë sektorët prioritarë me potencial, raportojnë një gamë të gjerë të zbrazëtirave të njohurive dhe shkathtësive tek punonjësit e tyre ekzistues dhe potencialë. Këto ndryshojnë nga mungesa e shkathtësive primare të prodhimit dhe përpunimit, deri te mungesa e shkathtësive në teknologjinë moderne, mungesa e njohurive mbi procedurat operacionale, kontrollin e cilësisë, menaxhimin e prodhimit, komunikimin, marketingun dhe promovimin, shitjet dhe administrimin”, theksoi Hasani.
Në mes tjerash, ministri i Tregtisë dhe Industrisë ka thënë se ministria, të cilën e drejton ai, në vazhdimësi është duke e përkrahur sektorin privat, respektivisht ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, përmes granteve apo asistencës tjetër, si Skema Vouqer, duke ofruar shërbime konsulente për kompani, asistencë për certifikimin e produkteve dhe shërbimeve të tyre, si dhe është krijuar Fondi për Garantimin e Kredive, programe që do të ndikojnë edhe në punësimin e kuadrove të reja.
Ai përmendi edhe përkrahjen që kjo ministri është duke ua bërë studentëve, ku në këtë vit (2017) janë përkrahur 175 studentë të diplomuar: 129 femra dhe 46 meshkuj, me kohëzgjatje nga tre muaj punë praktike në sektorin privat, me qëllimin që të punësohen së paku 10 për qind e tyre.
Duke e përfunduar fjalimin ministri Hasani ka thënë se ai dhe ministria të cilën e udhëheqë janë të përkushtuar që të vazhdojnë në hartimin e politikave industriale dhe tregtare, si dhe bashkëpunimin me të gjithë akterët për të adresuar problemin e punësimit dhe shkathtësive të të rinjve në tregun e punës.
Shefi i Bankës Botërore në Kosovë, Marco Mantovanelli ka potencuar se në Kosovë ka pasur rritje ekonomik, e cila nuk ka prodhuar vende pune në numër për të bërë ndryshime. Sipas Mantovanellit kjo rritje ekonomike është e nxitur nga remitencat dhe konsumi dhe si e tillë nuk sjell rritje të qëndrueshme afatgjate.
Ndërsa, perfaqesuesja e Banka Botërore, Monica Robayo, ka prezantuar raportin mbi gjetjet kryesore të diagnozës së vende të punës në Kosovë dhe ka është shprehur se papunësia e të rinjve në Kosovë është dy herë më e lartë se papunësia e përgjithshme në Kosovë.