Sabiha Shala, kandidate e PDK-së për Kryetare të Pejës, ka shpalosur programin e saj qeverisës për postin të cilin pretendon të marrë nga 22 tetori.
Shala ka thënë se ka projekte të cilat i kanë diskutuar me qytetarët e Pejës, e më pas janë përpiluar sipas kërkesave të tyre, transmeton Klan Kosova.
Në Info Lokale të Klan Kosova ajo ka bërë të ditur se planifikon të krijojë 800 vende të reja të punës:
”Kemi prioritet të parë zhvillimin ekonomik dhe punësimin e të rinjve”.
”Synojmë të realizojmë projektin për stacionin e autobusëve në Pejë. Do të krijohen 800 vende të reja të punës vetëm në kuadër të projektit për stacionin”.
”Këto projekte do të realizohen duke pasur konsultime pasi ka investitorë të jashtëm por edhe në vend”.
”Në Lumbardhin e Pejës duhet të ketë pastrim mbeturinash”.
Kandidatja e PDK-së për Kryetare të Pejës, Sabiha Shala, ka thënë po ashtu se planifikon të ndërtojë një shetitore tek pjesa e Lumbardhit, transmeton Klan Kosova.
”Pas këtij projekti do ndërtojmë shëtitore. Në pjesën ku do bëhej projekti për Lumbardhin do krijohen mundësi për plazh si dhe do krijohen hapësira të tjera për punësim”.
”Parashikojmë ndërtimin e sheshit ‘’Haxhi Zeka’’. Do të ndërtojmë dhe parkingun e Pejës që të duket në një ambient më normal”.
”Tjetër projekt kapital është ndërtimi i një qendre sociale. Ky është projekt që prek shifrën rreth 2.5 milion. Aty do të ketë hapësira ku do të zhvillohet bujqësia”.
”Aty do të ketë një investim të qëndrueshëm. Të gjitha këto projekte kanë ardhur me konsultimin e qytetarëve me të cilët kisha konsulta para përpilimit të projekteve”, transmeton Klan Kosova.


















