Mbledhja e Këshillit Ministror për Integrim Evropian, ka mbajtur mbledhjen e vet të radhës, të cilin e kryesoi Kryeministri Ramush Haradinaj dhe Ministrja Dhurata Hoxha, shkruan infosot.
Kryeministri Haradinaj, falënderoi Ministren Hoxha për konsistencë në temën e Integrimit dhe rëndësisë që i jep kësaj teme. Ai ka kërkuar metodologji për t’i kryer detyrimet ligjore për rrugën e integrimit. Kryeministri Haradinaj ka pasur vërejtje po ashtu, se institucionet kanë vonesa në këtë proces dhe ka kërkuar përkushtim më të madh në procesin integrues.
Në fjalën e saj, Ministrja Hoxha, theksoi se ka qëllim ndryshimin e dinamikës së procesit integrues dhe përshpejtimin e përmbushjes së obligimeve tona që dalin nga Agjenda e Reformave Evropiane, për të shtuar se procesi i integrimit evropian nuk është alternativë por është rrugë e cila është zgjedhur dhe duhet të kryhen detyrat në mënyrë që Kosova të shënojë progres.
“Secili institucion të kryejë obligimet që dalin nga Agjenda e Reformave. Qëllimi i mbledhjes së Këshillit Ministror është që Kryeministri dhe ne të informohemi se ku qëndrojmë me përmbushjen e këtyre obligimeve dhe nëse ka ngecje ta dimë pse ka ngecje, së bashku të shohim se si mund t’i adresojmë këto sfida”, theksoi Ministrja Hoxha.
“Ne duhet të tregojmë përkushtim dhe seriozitet në zbatimin e prioriteteve, duke promovuar qeverisjen e mirë dhe fuqizimin e sundimit të ligjit, duke mbrojtur konkurrueshmërinë dhe përmirësuar klimën e investimeve si dhe duke avancuar politikat e punësimit dhe arsimit të lartë”, vuri në dukje Ministrja Hoxha.
Pjesëmarrësit e Këshillit ndërministror u fokusuan në të arriturat që janë shënuar gjatë këtyre dy javëve duke evidentuar edhe sfidat me të cilat përballen.


















