Prokuroria ngrit aktakuzë ndaj ish-kryetarit të Gjilanit për marrëveshjen “Eco Higjiena”

E publikuar: 05/10/2017 13:26
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Telashet me ligjin nuk kanë të ndalur për ish-kryetarin e Gjilanit, Qemajl Mustafa i cili përpos aktakuzës për krim të organizuar të cilën e ka të ngritur nga Prokuroria Special e Kosovës tashmë do të përballet edhe me aktakuzën për veprën penale të keqpërdorimit të pozitës zyrtare e cila aktakuzë është ngritur nga Prokuroria Themelore e Gjilanit, raporton Koha Ditore.

Ai akuzohet se në cilësinë e kryetarit të komunës në vitin 2012 në kundërshtim me ligjin mbi partneritetet publiko private dhe pa sigurimin paraprak të pëlqimit nga Qeveria e Kosovës kishte nënshkruar marrëveshjen e partneritetit publiko privat duke themeluar ndërmarrjen e përbashkët aksionare “Eco Higjiena” me autoritetin privat kontraktues privat Christian Moser, drejtor gjeneral i firmës austriake “Moser Group” përkatësisht i degës së saj “Eco Vizion” në Gjilan mbi bashkimin e mjeteve dhe kapitalit në proporcion 51 për qind për partnerin privat dhe 49 për qind për partneritetin publik duke u bazuar në ligjin nr. 03/L 090 mbi partneritetet publiko private i cili ligj është shfuqizuar me nxjerrjen e ligjit mbi partneritetin publiko privat me datë 21.10 2011 me nr 04/L-045 e që marrëveshja është në kundërshtim me nenin 5 dhe 17 të këtij ligji ngase e njëjta është nënshkruar pa sigurimin paraprak të pëlqimit nga Qeveria e Kosovës.

Gjithashtu ai akuzohet se nuk ka ndërmarr masat e parapara me ligj dhe po ashtu duke mos e shfrytëzuar të drejtën për ndërprerjen e partneritetit për shkak të shkeljeve të detyrimeve nga partneri tjetër privat dhe se kishte neglizhuar të paraqesë raportet vjetore rreth këtij partneritetit duke i shkaktuar dëme materiale partneritetit publik, përkatësisht KRM “Higjiena”.

“I pandehuri poashtu si autoritet kontraktues nuk ka vepruar konform dispozitave ligjore si dhe konditave të marrëveshjes mbi partneritetin publiko privat, përkatësisht nenit 11 të kësaj marrëveshje për të kërkuar nga autoriteti kontraktues i partnerit privat përmbushjen e obligimeve që ka pasur me marrëveshjen për realizimin e investimeve të zotuara për shumën prej 1 milion e gjysmë euro për periudhën gjatë viteve 2012, 2013, 2014 e që në fakt ka realizuar vetëm investimet në lartësinë prej 542 mijë eurove ndërsa nuk ka përmbushur shumën e investimeve prej 957 mijë eurove gjendje kjo që ka ndikuar negativisht në profitabilitetin e subjektit përkatës”, thuhet në aktakuzën e prokurorisë raporton korrespodenti i Kohës Ditore në Gjilan.