Rama i shkarkoi me një SMS, rikthehen në detyrë “fshehtësisht” 2 shefat e Policisë Tiranë

E publikuar: 04/10/2017 12:40
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ndodh edhe kështu.. pasi të jesh shkarkuar nga detyra të riemërohesh sërish në të njëjtën detyrë vetëm 2 muaj më pas.

Një gjë e tillë ka ndodhur me dy shefat e komisariateve numër 1 dhe 2 në Tiranë, Ylli Doda dhe Albert Xhaho. Në gusht të këtij viti në valën e denoncimeve në adresat e komunikimit të kryeministrit Rama, mbërriti dhe një denoncim për dy shefat në fjalë, duke pretenduar se të dy ata ishin duke ndërtuar pa leje.

Mesazhi thoshte se të dy shefat në kundërshtim të hapur më proceduarat e ndërtimeve dhe marrjes së lejes kishin uzurpuar hapësira me ndërtimet e tyre.

Ky mesazh i mbërritur te kreu i Qeverisë Rama, menjëherë i është kaluar Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë Haki Çako. Ky i fundit me të marrë këtë mesazh, nuk ka pritur shumë, por menjëherë ka shkarkuar nga detyra dy drejtuesit e lartë të komisariateve.

Burimet i thanë newsbomb.al, se të dy drejtuesit e komisariateve nuk ishin duke bërë ndojnë ndërtim të madh, por thjesht një restaurim të brendshëm në shtëpitë e tyre (ndërronin pllakat e tualetit).

Sakaq dy muaj më vonë Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, sipas burimeve të newsbomb.al, ka vendosur t’i rikthejë në punë të dy drejtuesit edhe pse jo në mënyrë formale. E gjithë “rrëmuja” mësohet se ka ndodhur në rrugë jo zyrtare, por burime pranë dy shefave të komisariateve i thanë newsbomb.al, se ata nuk kanë pranuar që të rikthehen në detyrë.

E gjithë kjo histori është zhvilluar larg vëmendjes së mediave, dhe vetëm drejtuesi madhor i Policisë së Shtetit, Haki Çako i di arsyet e këtyre lëvizjeve të bujshme brenda vetëm dy muajve. /newsbomb.al/