Deputeti i Nismës për Kosovën, Milaim Zeka ka thënë në Kuvend se nëse ministri Nenad Rikallo është fajtor për ato që akuzohet, ai duhet ta marrë dënimin që i takon.
Zeka ka komentuar çështjen për të cilën është akuzuar ai sot në mëngjes në një artikull të një portal, ku thuhet se Zeka bashkë me një biznesmen u kanë marrë shqiptarëve para për t`i mashtruar për viza pune në Gjermani.
Duke u nisur nga rasti i tij, Zeka ka kërkuar të bëhet një ligj dhe të tregohet se kush ka punuar me Serbinë e kush ka kryer krime.
“Është turp për Parlamentin tonë që po përzihemi në çështjet e drejtësisë. Më vie mirë që ambasadat e kanë pushim e me na thirrë në Dragodan me folë. Shumë deputetë kanë thënë mos u përzini në çështjet e Hagës. Në rastin Kiqina kanë thënë mos u përzini në rastin Kiqina ku qe 16 vjet Arsim e Burim Ramadani po mbahen padrejtësisht në burg. Njerëz të krisur e kanë akuzuar gruan e Rexhep Selimit dhe kanë thënë se ajo më ka rrehë me thupër në burg. Një tjetër thojke se Milaim Zeka e ka vra Ahmet Krasniqin. Me pas dashur deputetët e Kuvendit me aprovu ligjin e nuk ish bë kryeprokuror Ilmi Zhitia që e ka burgos babën e Liburn Aliut”, është shprehur ai ndër të tjera, transmeton Indeksonline.
Duke folur për portalet, që sipas Zekës publikojnë çdo gjë, ai ka thënë se për pak para të shkatërrohet personaliteti.
“E ata djem të tyre, të argatëve të tyre, ata kanë hapur medium e kanë hapur portale që po na shajnë sepse shumica prej jush keni portale private. Në secilën parti politike ka televizione private, për 100 dollarë ta shkatërrojnë dinjitetin, personalitetin tënd. Të debatojmë ajo që neve na takon, ta bëjmë lustrimin, kush ka qenë argat i Serbisë, cilët kriminelë të Serbisë punojnë sot në Policinë e Kosovës, e plot të tjerë, cilët prokurorë të Serbisë punojnë në Prokurori të Kosovës. Portalet na kanë hy neve brenda para Parlamentit, na kanë hy faqezinjtë. Të sjellim ligjin për ilustrimin dhe nuk do të kishim pasur nevojë të merremi me ministrin.”, ka deklaruar ai.



















