Rasti i Kosovës dhe ai i Qipros kurrsesi nuk mund të krahasohen, se janë dy raste të ndryshme si nata me ditën. Kështu ka deklaruar presidenti i Greqisë, Prokopios Pavlopulos, gjatë konferencës së përbashkët pas takimit me presidentin e Serbisë Aleksandar Vuiçiq, sot në Beograd.
Serbia, ashtu siç mund të pritej, është deklaruar kundër shpalljes së pavarësisë së Katalonjës dhe ka mbështetur pushtetin në Spanjë për qëndrimin ndaj katalonjezëve.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, siç raportojnë mediat e Beogradit, gjatë konferencës së përbashkët, pas takimit me presidentin e Greqisë, Prokopios Pavlopulos, ka thënë se “Kur të shkoj në Bruksel çfarë pyetje të bëj, pse në Katalonjë bën, kurse në Kosovës (shpallja e pavarësisë) mund të pranohet edhe pa referendum? Çfarë t’i them popullit tim për këtë, kur të ardhmen e vendit tim e shoh në BE për shkak të tipit të shoqërisë, ekonomisë më të mirë dhe arsyeve të tjera, ndërsa për këtë serbët asnjëherë nuk do të kenë përgjigje. Kur mendonin se mund të rivizatonin kufijtë në Ballkan, meqë ai nuk është Bashkim Europian, janë tallur, ndërsa sot nuk kanë si të tallen meqë u ka trokitur ariu në derë të shtëpisë”, është shprehur Vuçiq, transmeton Koha.net.
Situata është shumë më serioze, ne serbëve na duhet luftojmë për të ardhmen tonë, të punojmë me fqinjët tanë shqiptarët, t’u jemi mirënjohës për mbështetje të gjitha vendeve europiane, Spanjës, Sllovakisë, Rumanisë, Qipros dhe Greqisë që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, ka thënë Vuçiq dhe ka shtuar se kjo flet për kut të dyfishtë dhe dyfytyrësi të politikës botërore.
Për rastin e liderit të Ligës së Socialdemokratëve të Vojvodinës, Nenad Çanak, i cili ishte në Barcelonë gjatë mbajtjes së referendumit të Katalonjës, Vuçiq tha se “kjo tregon se disa nga veriu i Serbisë jetojnë mirë” dhe mund të qerasin veten me një udhëtim të tillë. Në këtë kontekst ai përmendi edhe grafitet në Vojvodinë që mbështetnin pavarësinë e Katalonjës.
Presidenti grek Pavlopulos nga ana tjetër foli për “situata kritike nëpër të cilën po kalon Europa” ndërsa për Kosovën u shpreh se është “vendimtare respektimi i Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, përcjell Koha.net. Por ka shtuar se rasti i Kosovës dhe ai i Qipros kurrsesi nuk mund të krahasohen, se janë dy raste të ndryshme si nata me ditën.
Për rastin me Shqipërinë, ai theksoi se “ky vend konteston (Greqisë – sqarim ynë) të drejtën themelore të pronësisë”, e për Maqedoninë shtoi se “është e papranueshme që një shtet i cili synon anëtarësimin në BE konteston kufijtë ekzistues”.


















