Pranohet kërkesa e IAP-së, për faturimin e rrymës së shpenzuar në veri

E publikuar: 13/09/2017 15:29
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Mbi bazën e padisë së Avokatit të Popullit lidhur me vendimin e Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) për faturimin e energjisë elektrike të shpenzuar në veri të vendit dhe si rezultat i dështimit të ZRRE-së për të zbatuar rekomandimet e Avokatit të Popullit brenda afatit të dhënë, Gjykata Themelore në Prishtinë ka nxjerrë Aktvendim, me të cilin ka aprovuar kërkesën e Avokatit të Popullit për shtyrjen e ekzekutimit të vendimit në fjalë.

Në Aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë thuhet se “shtyhet ekzekutimi i Vendimit të Bordit të Zyrës së Rregullatorit për Energji V_399_2012, i datës 06.02.2012, deri në marrjen e aktgjykimit lidhur me kërkespadinë e Avokatit të Popullit, gjegjësisht paditësit, në këtë rast”.

“Në arsyetimin e Gjykatës Themelore lidhur me Aktvendimin e marrë, theksohet se kërkesa e paditësit, respektivisht Avokatit të Popullit për shtyrjen e ekzekutimit të Vendimit në fjalë, i referohet nenit 22, paragrafi 2, të Ligjit për Konfliktet Administrative, ku përcaktohet se “me kërkesën e paditësit, organi, akti i të cilit ekzekutohet, gjegjësisht organi që është kompetent për ekzekutim, mund ta shtyjë ekzekutimin deri në vendimin definitiv gjyqësor, nëse ekzekutimi do t’i sillte dëm paditësit, i cili vështirë të riparohej, kurse shtyrja nuk është në kundërshtim me interesin publik, e as që shtyrja do t’i sillte ndonjë dëm të madh palës kundërshtare, përkatësisht personit të interesuar””, thuhet në komunikatën e Avokatit të Popullit.

Sipas IAP-së, Gjykata vlerëson se, nga provat të cilat gjenden në shkresat e lëndës, Avokati i Popullit, në cilësinë e paditësit, e ka bërë besueshme kërkesën e tij, se ekzekutimi i Vendimit të kontestuar do t’i sjellë dëm qytetarëve të Republikës së Kosovës, i cili dëm është vështirë i riparueshëm dhe se shtyrja e ekzekutimit të Vendimit nuk është në kundërshtim me interesin publik.

“Së këndejmi kërkesa e Avokatit të Popullit është aprovuar”, thotë komunikata e Avokatit të Popullit.

Aktvendimi u është përcjellë palëve përgjegjëse me këshillën juridike për mundësi ankese në Gjykatën e Apelit, brenda një afati 15 ditësh.

Avokati i Popullit mban qëndrim se faturimi i energjisë elektrike të shpenzuar në veri të vendit nuk ka mbështetje në ligj, për çfarë janë dhënë arsyetimet në Raportin me rekomandime të datës 13 qershor 2017.

Për më tepër shih LINKUN.