Anëtari i Kryesisë së AAK’së, Muharrem Nitaj, ka ironizuar me parashikimin e Ramush Tahirit se Kryeministër i ardhshëm do të jetë Shpend Ahmeti e Kryetar i Prishtinës Arban Abrashi në një Qeveri LDK-Vetëvendosje.
Nitaj ka thënë se ‘mrekullohet’ kur po i dëgjon parashikimet e disa analistëve se kush do të jetë Shef i Qeverisë e kush udhëheqës i Prishtinës.
“E kam përcjell Ramush Tahirin me krejt analizat e tij për situatën e krijuar dhe ju them të drejtën asnjëherë nuk e kam kuptuar nëse po flet, pse ashtu po ia merr mendja, apo po i shpalos qëndrimet e tjetërkujt. S’ka gjë të keqe nëse nuk ia qëllon, por unë mrekullohem kur disa opinionist në analizat e tyre, jo vetëm që gjejnë zgjidhje, por edhe i përcaktojnë se kush do të jetë Kryeministër, kush Zëvendës, kush Kryetar i Prishtinës, siç po më thoni se paska bërë zoti Tahiri, e kështu me radhë”, ka thënë Nitaj, për Express, të dielën.
Më ketë rast, Nitaj ka thënë se bazuar në rezultatin e zgjedhjeve të fundit, Kryeministër do të jetë Ramush Haradinaj e jo dikush tjetër.
“Koalicioni fitues i zgjedhjeve te qershorit-PAN, po bën gjithçka është në dorën e tij qe të realizojë rezultatin e këtyre zgjedhjeve, me Kadri Veselin, kryetar Kuvendi dhe Ramush Haradinajn, Kryeministër. Me aq sa unë di, kjo edhe do te ndodh”, ka shtuar Nitaj.
Nitaj ka komentuar edhe mundësinë e krijimit të institucioneve të reja javën e ardhshme. Ka thënë se është e pakuptueshme se si LDK e Vetëvendosje janë barrikaduar dhe bllokuar formimin e institucioneve. Ka konfirmuar bisedimet me AKR’në por ka thënë se ende s’ka një marrëveshje me Behgjet Pacollin.
“Ne, ka disa dite qe jemi duke zhvilluar biseda intensive dhe shume konstruktive me te gjithë partnerët e mundshëm dhe unë besoj në një zgjidhje të shpejtë. Ka pasur zëra për një marrëveshje me AKR-në, por deri me tash, përpos bisedave konstruktive dhe një interesimi të dyanshëm për të zhbllokuar procesin e krijimit te institucioneve, ende nuk mund të flasim për një marrëveshje konkrete me këtë parti politike. Nuk mund ta them me saktësi se çfarë do te sjellë java qe vjen, por është e mundur qe ajo te jetë jave kthese ne krijimin e institucioneve”, ka thënë ai.
















