Katër muaj para hyrjes në fuqi të ligjit për kufizim të importimit të automjeteve deri në 10 vjet të vjetra, ka nisur dyndje e madhe e importit të automjeteve të përdorura, raporton KTV .
Nga 1 janari e deri më 22 gusht, numri i veturave të importuara është 16 mijë e 885, me ç’rast në llogarinë e shtetit kanë hyrë rreth 18 milionë euro.
Bazuar në listë, numri më i madh i automjeteve të importuara vjen nga kompanitë prodhuese gjermane, të përcjella nga ato franceze. Njohësit e zhvillimeve ekonomike nuk u besojnë arsyeve të nxjerra nga qeveria për të bërë ligjin e ri, ndërsa besojnë fort se ekzekutivi do të shtojë taksat për t’i mbuluar humbjet. Ligji për importin e automjeteve është ndryshuar disa herë, varësisht prej nevojave që qeveria i ka pasur për të mbushur më së lehti buxhetin e vendit me para. Fillimisht u lejua të importoheshin automjete deri në 8 vjet të vjetra, pastaj më 2011 u shtua deri në 13 vjet, për t’u hequr i tëri tash e disa vjet.


















