Mimoza Kusari Lila me të marrë mandatin e deputetes është dorëhequr nga pozita e kryetares së Komunës së Gjakovës. Por, që më pas ajo ka shpallur kandidaturën e saj për zgjedhjet lokale të 22 tetorit për të marrë në Gjakovë edhe një mandat si kryetare.
Rikandidimin e saj, Kusari-Lila e ka arsyetuar me vazhdimin e projekteve me rëndësi për këtë qytet, njofton Klan Kosova.
“Është e rëndësishme që këto projekte të vazhdojnë.”
“Komuna e Gjakovës është projekt që kërkon përkushtim, ka vështirësi që jemi ballafaquar për shkak të paqartësisë politike që po e ndjek Kosovën edhe këto ditë, në ë këtë hapësirë kohore që isha në Parlamentin e Kosovës.”
“Rrjedha e ngjarjeve në Kosovë më bëri skeptike, janë 42 milionë euro projektet të filluara gjatë qeverisjes time dhe rrezikimi i të gjitha këtyre nuk përkon me përgjegjësinë e një individi që dëshiron të ketë një projekt të suksesshëm”, ka shtuar ajo në Info Magazine.
Më tej Kusari-Lila ka pohuar se nëse merr edhe një herë besimin e qytetarëve të Gjakovës, do ta lë mandatin e deputetes në Kuvendin e Kosovës.
“Pas shpalljes së rezultatit të zgjedhjeve lokale, atëherë natyrisht se heq dorë nga pozita e deputetes”, ka deklaruar ajo.
“Nuk mund të jesh në dy pozita, atë të deputetes dhe kryetares, prandaj kur kam bërë betimin si deputete, jam tërhequr nga pozita e kryetares”, ka vazhduar ajo.
Kusari-Lila më tej, ka thënë se pret që në Gjakovë të zhvillohet një garë e fortë në zgjedhjet lokale.
“Natyrisht një garë e projekteve për qeverisjen më të mirë të Gjakovës”, ka shtuar ajo