Haziri e Kurteshi presin rivalët e tjerë në garën e Gjilanit

E publikuar: 17/08/2017 11:01
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Lutfi Haziri dhe Sami Kurteshi janë dy kandidatët e zyrtarizuar deri më tani nga subjektet politike për garën e 22 tetorit nga e cila do të dalë edhe kreu i komunës së Gjilanit.

Lidhja Demokratike e Kosovës ka nominuar kandidaturën e Hazirit edhe për një mandat të qeverisjes lokale ndërsa vetëvendosje këtë herë garës i futet me ish avokatin e popullit, Sami Kurteshin.

Partia Demokratike e Kosovës ndonëse ishte përcaktuar herët për nominimin e ish shefit të Grupit Parlamentar, Zenun Pajaziti, për kryetar të Gjilanit,  si duket ky i fundit është larguar nga kombinimi.

“Nuk besoj që do të jem kandidat. Apo thënë më shkurt, nuk do të jem”, ka thënë Pajaziti për Indeksonline duke shtuar më vonë që ende asgjë nuk është zyrtarizuar.

Pa kandidat vazhdon të mbetet edhe Aleanca e Ramush Haradinajt. I kontaktuar nga Indeksonline, Rexhep Kadriu nga dega e AAK-së në Gjilan thotë se ende nuk ka një vendim se kush do ta sfidoi Hazirin e Kurteshin.

“Akoma nuk kemi vendim nga partia për zyrtarizim të kandidatit për kryetar komune në Gjilan por për pak ditë dihet emri i kandidatit”, ka thënë Kadriu.

Zgjedhjet lokale në vend do të mbahen me 22 tetor të këtij viti, përderisa partitë janë deklaruar se janë në përfundim të përpilimit të të gjithë emrave kandidues./Indeksonline/