Glauk Konjufca nga Vetëvendosje në fjalën e tij tha se në situatën ku ndodhet Kosova, ka nevojë për diskutime të tilla që do të kontribuojnë në zgjidhje.
“Ndodhemi në bllokadë për krijimin e institucioneve dhe për këtë duhet t’i adresojmë përgjegjësitë e plota dhe të diskutojmë se si të ecim përpara. Të gjithë e kanë kuptuar dhe s’ka fije dyshimi se cili është shkaku themelor për mosthemelimin e institucioneve. Arsyeja është mosprania e koalicionit që sipas kushtetueses do t’i takonte propozimi i emrit të kryeparlamentarit”, tha Konjufca.
Ai theksoi se janë bërë më shumë se 10 ditë kur u mbajt seanca e thirrur nga presidenti, raporton Indeksonline.
“Ndodhemi në situatë ku një grup parlamentar s’është në nivel ku duhet dhe për këtë jemi bllokuar. PAN spo don me ardh në Kuvend, e çka mundemi me i bo. Ata janë bllokues të institucioneve të Republikës së Kosovës. Kjo është papërgjegjësi nga ana e tyre kur e ke të drejtën por nuk je i gatshëm”, tha tutje Konjufca.
Ai kërkoi nga PAN përgjegjësi publike që të marrin pjesë sa më shpejt në seancë dhe mos të bëhen pjesë e bllokadës, të cilën siç tha ai, po e bëjnë qëllimisht. /Indeksonline/


















